Dita ndërkombëtare e gruas, festë dhe protestë në kërkim të barazisë gjinore në botë

Çdo vit më 8 mars celebrohen arritjet sociale, ekonomike dhe politike të gruas përreth botës. Por është edhe dita e kujtesës se sa shumë duhet bërë ende për të arritur barazinë gjinore, diçka të cilën, Forumi Ekonomik Botëror thotë se nuk do të arrihet deri në vitin 2133.

Shumëçka duhet të ndryshojë për të mundësuar barazinë duke nisur nga shëndetësia, edukimi, pagesa në punë, mbrojtja me ligj, e drejta e votës, liria nga dhuna dhe e drejta për tu zgjedhur. Mënyra më e mirë për ta shënuar këtë ditë është duke mësuar më shumë se çfarë mund të bëhet për të sjellë ndryshimin e nevojshëm.

Në mungesë të ndërgjegjësimit masiv, në shumë vende të botës janë organizuar marshime dhe manifestime paqësore. Në Australi u dënua dhuna ndaj grave dhe disa protestues kërkuan të drejta të barabarta me gjininë tjetër. Në Filipine 400 aktiviste marshuan kundër presidencës “Macho-Fashiste” të Rodrigo Duterte. Edhe në shtete të ndryshme të Europës pati manifestime, por edhe festa e evente të ndryshme për të celebruar arritjet. Në Britani, 8 marsi u përqendrua në vlerësimin e grave që punojnë pa pushim në luftën kundër pandemisë koronavirus.

“Ne patëm 6 pacientë që humbën jetën në 24 orë. Kjo ishte në valën e parë, ndërsa në të dytën humba numërimin”, tha Mez Bagas, menaxhere pavioni.

Në Amerikën e Jugut mbizotëruan protestat dhe manifestimet, ndërsa në atë të veriut, presidenti Joe Biden do të firmosë dy urdhra ekzekutivë me synimin për të promovuar barazinë gjinore dhe për t’i dhënë fund dhunës seksuale në shkolla. Gjithashtu ka pasur edhe evente të tjera me marshime, muzikë dhe fjalime për ditën e gruas.