Gratë dhe sipërmarrja, drejtimi i biznesit kërkon vendosmëri dhe përkushtim

Të bësh biznes në Shqipëri është një ndërmarrje përgjithësisht e vështirë. Por, akoma më tepër kjo vlen për gratë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë që vetëm 25,4% e bizneseve kanë për pronare apo administratore një grua, një shifër ndjeshëm më e ulët se në Bashkimin Europian, ku kjo shifër fiksohet në 36%.

Irena Toçi është një grua sipërmarrëse, e cila ka nisur aktivitetin e saj në vitin 1993 në fushën e botimit të librave. Në këto 28 vjet karrierë, ajo zbulon se ndonëse e vështirë, sekreti për t’ia dalë është vendosmëria dhe përkushtimi.

Sot, kjo sipërmarrëse e sheh situatën më pozitive për pjesëmarrjen e grave, si në biznes ashtu edhe në vendimmarrje politike. Ndërsa shifrave që tregojnë se gratë kanë një prezencë më të ulët në biznesin e madh, ajo i përgjigjet kështu: “Në shumicën e rasteve, bizneset e mëdha kanë pasur nevojë që të kenë mbështetjen e të dy partnerëve në familje. Në të gjitha këto biznese, nëse gruaja nuk është numri 1, me siguri është numri 2 i tij”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ajo i bën thirrje të gjitha kolegeve në biznes dhe jo vetëm, të bashkohen në organizata përfaqësuese të grave për të forcuar zërin e tyre dhe për të fituar një rol edhe më të madh.