LSI depoziton listat në KQZ, mësohen kandidatët në 12 qarqe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në KQZ këtë të hënë listat e plota të kandidatëve për deputet në 12 qarqe për zgjedhjet e 25 prillit.

Pas dorëzimit të listave, Kryemadhi u shpreh se, “kjo skuadër e madhe, që do të përfaqësojë Lëvizjen Socialiste për Integrim në të gjithë vendin, do të drejtojë shqiptarët drejt ndryshimit që të gjithë presim me padurim”.

“Jam shumë e lumtur, që në këtë ditë të gruas, unë të dorëzoj pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, listat e kandidatëve që do të përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim në Parlamentin e Ardhshëm, i cili do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Jam shumë e lumtur që ky proces ishte një proces shumë i shëndetshëm, shumë transparent dhe që krijoi një moment bashkimi të jashtëzakonshëm vlerash shoqërore, profesionale dhe morale.

Kjo skuadër e madhe, që do të përfaqësojë Lëvizjen Socialiste për Integrim në të gjithë vendin, do të drejtojë shqiptarët drejt ndryshimit që të gjithë presim me padurim, për përmbysjen e një klike qeveritare antipopull, antishtet dhe antivlera.

Këta të rinj dhe të reja, burra dhe gra plot vullnet e të palodhur, janë garanci për një garë fituese dhe të shkëlqyer si dhe për një qeverisje të mirë dhe të drejtë për qytetarët dhe për vendin”, tha kryetarja e LSI-së.