Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

“Marshojmë s’festojmë”, Osmani dhe Kurti i bashkohen marshimit paqësor në ditën e grave

Nga A2 CNN
8 Mars 2021, 17:46 | Kosova

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani i janë bashkuar marshimit paqësor në ditën ndërkombëtare të gruas.

Me moton “Marshojmë kundër patriarkatit që vret” këtë vit në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Me parrullat “Marshojmë s’festojmë”, aktivistë të organizatave të shoqërisë civile e studentë, kanë zhvilluar marshimin nëpër rrugët e Prishtinës.

“Patriarkati vret”, “Poshtë patriarkati”, Edhe sa jetë të humbura”, ishin disa nga thirrjet e marshuesve.

Presidentja në detyrë, Osmani tha së institucionet e drejtësisë së Kosovës vlerësojnë jetën e një burri më shumë se të një gruaje, për çka edhe ishte njëra ndër arsyet se ajo iu bashkua organizimit “Marshojmë s’festojmë”.

“Siç e dini në institucione tona të drejtësisë ka shumë raste të cilat dëshmojnë që jeta e një burri dhe jeta e një gruaje nuk vlerësohen njësoj dhe kjo është një diçka që duhet ta luftojmë gjithsecili, në radhë të parë si qytetarë të republikës së Kosovës e ne radhë te dytë si institucione, kjo është arsyeje pse jemi bashkuar sot organizatorëve, mbi të gjitha për ta ngritur zërin tonë për drejtësi sepse drejtësia është parakusht për barazi në të gjitha fushat, përfshi edhe për barazi gjinore”.

Ndërsa Kurti tha se Qeveria e re ku ai pritet të jetë kryeministër, s’do t’i ketë më pak se 5 ministre.

“Ne për asnjë gjë nuk do të biem më poshtë së qe kemi qenë. Ju e keni parasysh se në qeverinë e mirë të pranverës 2020 nga 15 ministra gjithsej kishim 5 ministra gra, më pak se kaq nuk do të kemi, do të shikojmë se çfarë do të mund të bëjmë edhe më shumë. Por mos e harroni se nga 58 deputetë të cilët do t’i ketë grupi ynë i përbashkët parlamentar, asnjë grua nuk ka pasur nevojë për aksionin afirmativ, për kuotën gjinore që të jetë aty. Populli i Kosovës e ka bërë përfaqësuese të qytetarëve, 14 shkurti nuk kanë qenë vetëm një parë zgjedhje, ka qenë referendum, ka fituar qytetari i Republikës së Kosovës, ka fituar populli i Kosovës. Të cilët zonja presidente dhe unë si kryeministër i ardhshëm do t’iu shërbejmë për ditë me devotshmëri” tha ai

Osmani tha para gazetarëve u tha se drejtësia është parakusht për barazi në të gjitha fushat, ndërsa Kurti theksoi se duhet të njihet kontributi i tyre pasi ato emancipojnë shoqërinë.

“Barra shumë të mëdha u janë lënë grave. Ato jo vetëm e kanë emancipuar veten por tash prej tyre pritet edhe emancipimi i shoqërisë. Duhet ta bëjmë këtë bashkarisht dhe të ndajmë çdo përgjegjësi.

Qeverisja jonë do të jetë e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë dhe e përkrahin jetën dhe përvojat e grave. Qofshin gra punëtore, të papuna, gra rome, të varfra, në kohën kur lindin, apo kur nuk duan të lindin, kur kërkojnë punë apo kur diskriminohen në punë. Prej punëve të shtëpisë e deri te përgjegjësitë institucionale, le ta bëjmë Kosovën më të barabartë. Që kurrë më të mos vriten, shtypen a shfrytëzohen gratë. E, që beteja për barazi shoqërore ta nënkuptojë edhe atë për barazi gjinore”- u shpreh Kurti.

A2 CNN Livestream

Dita jonë