Miratohet lista, kriteret e përfaqësimit dhe programi i Bindjes Demokratike

patozi BD 1100x620

Bordi Drejtues i Bindjes Demokratike miratoi sot listën e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit, parimet e kandidimit dhe të përfaqësimit, si dhe programin për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të publikohet ditët në vijim.

“Parimi ynë bazë në këto zgjedhje mbetet lista e hapur, i cili është kushti i parë që duhet të plotësojnë të gjithë ata që kanë pranuar të kandidojnë në siglën tonë. Të gjithë kandidatët e Bindjes Demokratike zotohen se, pavarësisht renditjes në listë, në çdo rast, mandatin do ta marrin ata kandidatë që kanë siguruar më shumë vota preferenciale se të tjerët brenda zonës zgjedhore. Për këtë arsye, të gjithë kandidatët e Bindjes zotohen se do të tërhiqen në cdo rast nga mandati i deputetit, nëse një tjetër kandidat brenda listës ka siguruar më shumë vota preferenciale”, shkruan në Facebook koordinatori i BD-së, Astrit Patozi.

“Një tjetër parim, që u miratua në mbledhje është barazia absolute e të gjithë kandidatëve midis njëri-tjetrit. Që do të thotë se numri rendor në listë ka vetëm vlerë konvencionale dhe jo detyruese në shpërndarjen e mandateve. I njëjti parim vlen edhe për kryetarin e partisë, i cili do të garojë vetëm në një zonë zgjedhore dhe jo në 4 të tilla, duke mos e shfrytëzuar mundësinë, që ja njeh ligji zgjedhor”, shton Patozi.

Një tjetër çështje që u diskutua në mbledhje ishte integriteti i përfaqësuesve të Bindjes Demokratike, të cilët janë zgjedhur të jenë figura të pastra në aspektin moral dhe ligjor. Sipas Patozit, “të gjithë kandidatët e Bindjes Demokratike janë individë të paakuzuar ndonjëherë për ndonjë aferë korruptive, probleme me ligjin e dekriminalizimit dhe të shkuarën komuniste”.

“Për këtë shkak pjesë e listave të kandidatëve tanë janë përzgjedhur të jenë vetëm individë që nuk kanë pasur kurrë probleme me ligjin e dekriminalizimit apo ndonjë akuzë ligjore për korrupsion.

Ndërkohë bordi vendosi me unanimitet që e gjithë lista e kandidatëve të Bindjes Demokratike do të dërgohet për t’u konfirmuar nga autoriteti për informimin mbi dokumentat e ish-sigurimit të shtetit”, shprehet Patozi.

  • LAJMI I FUNDIT | Mblidhet kryesia e PD, Basha: Në parti ka vend për të gjithë
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Ne s'mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve
  • LAJMI I FUNDIT | Basha: Jam shënjestra e parë e fushatës denigruese