Seksi, nazistët dhe Da Vinçi. Të fshehtat e historisë së orizit italian

Filmi italian “Riso Amaro”, i vitit 1949, nominuar për çmimin Oskar, si dhe Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit të Kanës, theu padyshim shumë tabu. Filmi paraqet atë çka realisht ndodhte çdo verë, nga maji në korrik, deri në vitet 1960, ku mijëra gra italiane të klasës punëtore bënin rrugën drejt Italisë së Veriut, për të punuar në orizore.

“Ato ishin disa nga punëtoret që protestuan kundër qeverisë Fashiste dhe kryen punë të rëndësishme si pjesë e rezistencës antinaziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bënë shumë gjëra si fshehja e partizanëve dhe dërgimi i mesazheve apo materialeve”, thotë Flora Deuronian, lektore në Universitetin e Sussex.

Kemi të bëjmë me një film neorealist – zhanri më i përhapur i pasluftës në Itali – dhe paraqet jetesën në komunitetin e grave që punonin në periudha sezonale. Të veshura me pantallona të shkurtra, të zhytura në baltën kënetore, gratë e orizoreve shiheshin për kohën si imazhi i gruas epshndjellëse. Aq ndikim pati ky film, saqë një grua tha se pas filmit ato u panë si prostituta dhe filmi shkaktoi debate të mëdha edhe brenda Partisë Komuniste. Por pavarësisht të gjithave, filmi duket se e vendosi orizin në hartë si një produkt kombëtar.

Dihet se kultivimi i orizit në Itali erdhi pak vonë, ndoshta duke hyrë nga India, e mandej si industri filloi në Lombardi në shekullin e 15-të. Prodhimi ishte aq i madh në tokën kënetore rreth lumit Po, saqë në pak kohë Italia u bë prodhuesi kryesor i orizit në Evropë.  

Një sistem modern kanalesh, që do ta bënin kultivimin e varieteteve të ndryshme të orizit një industri me rëndësi në Itali, do të niste nga konti Camillo Benso, në vitin 1843. Megjithatë, një emër tjetër i rëndësishëm që merrej me tregtinë e orizit dhe u punësua për të krijuar sistemin e kanalit të Milanos në 1482, duke ideuar një rrugë uji nga liqeni Komo në qytet, është Leonardo da Vinçi.

Pjesë e një historiku kështu që daton herët, bëri që orizi të kthehej në një përbërës me rëndësi në gatimin rajonal, kryesisht të Italisë së Veriut. Prej tyre u trashëguan receta të vjetra si supa e orizit, por edhe histori e libra që rrëfejnë se si familjet e mëdha u dhuronin njëri-tjetrit thasë me oriz.

Megjithatë, rizoto, receta e famshme është zhvilluar vonë, ndoshta në shekullin e 19-të. Recetat u pasuruan duke sjellë pjata të shijshme si rizoto me fruta deti, me perime dhe më e famshmja  “rizotto alla milanese”, orizi me parmixhano, shafran dhe verë.

Kështu pas një pjate të tillë, të përhapur në mbarë botën, fshihet një historik ngjarjesh e personalitetesh. Leonardo da Vinçi, rezistenca ndaj nazizmit, kushtet e vështira gjatë periudhës komuniste, debate e paragjykime seksiste, si dhe një punë e madhe për t’i sjellë botës recetën delikate të rizotos.