Vijon misteri i panterës në Itali, prej një viti “bredh” në Pulia felini i bosëve mafiozë

Nuk shterojnë dëshmitë për panterën e zezë në rajonin e Puliës, në Itali.  Një tjetër video amatoriale e këtyre orëve tregon felinin me ngjyrën e tij karakteristike, në një zonë rurale të atij rajoni, pikërisht në rrethinat  e Leçes.  

Misteri ka filluar në vitin e kaluar, aty ku felini i madh u pa të kalonte një mur në San Severo. Nga ai moment janë me dhjetëra dëshmitë, shpesh herë  me shumë kilometra distancë, si në Ostuni dhe tashmë në rrethinat e Barit, në zona shumë pak të banuara dhe me ullishte dhe pemë të tjera ku pantera mund të kacavirret dhe të gjuaj shpendët që ndodhen aty.

Shumë prej dëshmive u vërtetuan false, por ekzistenca e panterës nuk vihet më në diskutim, e verifikuar nga gjurmët dhe mbetjet e tij organike.

Kryebashkiaku i Akuaviva, vendi i fundit ku kafsha e egër është parë, deri më tani, kishte urdhëruar pezullimin e çdo pune në fushat e mbjella, ose edhe thjesht kalimin në këmbë ose biçikletë aty, nga frika e një takimi të pakëndshëm, për njerëzit por edhe për vetë panterën, që deri më tani nuk ka rezultuar agresive.

Por nga vjen pantera? Sipas forcave të rendit italiane, mund të jetë një nga kafshët e shumta që ndodhen në kopshte zoologjike klandestine, për të dëfryer shpesh herë bosët e organizatave si Sacra Corona Unita, dhe tani po shijon “thjesht” momente lirie, dhe fame mediatike.