A2 siguron dosjen hetimore. Detajet e reja të vrasjes së Rashës, nga kamerat tek dëshmitari okular

Regjistrimet e kamerave të sigurisë të zonës ku u vra Klodian Rasha kanë qenë vendimtare për Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit, por jo prova e vetme. Kryqëzimi i tyre me dëshminë e një dëshmitari okular të veprimeve të policëve, si edhe akt-ekspertime të ndryshme, kanë çuar prokurorin Ardian Braho në konkluzionin se i dyshuari Nevaldo Hajdaraj ka vrarë me dashje Klodian Rashën.

Kjo, për faktin se Rasha nuk ka pasur armë në dorë për asnjë moment dhe se po ashtu, për asnjë moment nuk ka përbërë rrezik për efektivët. Sipas dosjes, pasi është ndjekur nga dy punonjësit e patrullës, ka qenë Nevaldo Hajdaraj, që pak metra larg vendngjarjes, ka tentuar ta ndalojë, duke e kapur nga rrobat dhe trupi.

Klodian Rasha ka mundur t’i shpëtojë, ndërsa efektivi Hajdaraj është rrëzuar në trotuar. Në këtë moment, Hajdaraj është ngritur dhe pozicionuar në të ndenjurat e tij brinjazi, mbështetur në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë ka qëlluar dy herë brenda një sekonde drejt Rashës.

Sipas prokurorisë, Nevaldo Hajdaraj, në kushtet e ndriçimit artificial të bollshëm, dritat e ndriçuesve të rrugës, ka konstatuar se viktima nuk kishte armë zjarri në dorë. Në këto kushte, vijon prokuroria, ai duhet të ndërpriste veprimet në drejtim të tij të përdorimit të armës, pasi nuk ndodhej në asnjë rrezik sulmi nga viktima.

Në dosje zbardhet edhe dëshmia e drejtuesit të mjetit që ishte ndaluar nga patrulla e policisë që u vu në ndjekje të Rashës. Dëshmitari Marash Aliaj ka treguar se kishte parë policët të ndiqnin një person dhe pak çaste më vonë kishte dëgjuar krisma dhe një zë personi që thoshte se e vranë. Pasi ishte afruar, kishte parë se personi i shtrirë ishte i njëjti që po ndiqej nga policët.

Nga ana tjetër, prokuroria ka përjashtuar mundësinë që arma pistoletë e gjetur gati 100 m larg vendngjarjes të kishte lidhje me Rashën. Kjo për faktin e mungesës së gjurmëve të gishtave në të, por edhe faktit se në duart e Rashës nuk janë gjetur mbetje baruti, siç u mbesin personave që përdorin armë zjarri. 

“Në orën 02:56”, deri në orën 02:57, në fushëpamjen e kamerës nr.8, është konstatuar punonjësi me uniformë policie, i cili ngrihet dhe pozicionohet në të ndenjurat e tij, brinjazi, mbështetur në dorën e majtë, duke drejtuar dorën e djathte, në të cilin mban një send që duket si armë zjarri të llojit pistoletë, nga prapa shpinës së personit civil, i cili vazhdon të vrapojë në drejtimin ku është pozicionuar kamera. Sendi, të cilin punonjësi me uniformë policie e mban në dorën e djathtë, në drejtim nga prapa shpinës të personit civil, i cili duket si armë zjarri, duket se reflekton një vezullim drite, ku në një moment shumë të shkurtër, përveç vezullimit të mësipërm, reflekton edhe një vezullim drite në formën e një shtëllunge tymi si ajo e dalë nga një armë zjarri.

Dëshmia e shoferit të mjetit që ishte ndaluar nga Nevaldo Hajdaraj dhe kolegu i tij pak çaste para ngjarjes.

“Rreth orës 01:00 minuta, ka qenë duke lëvizur në rrugën. Sipas deklaruesit, në momentin kur ka qenë përballë me vendin e quajtur “Kupola”, pranë semaforit, ka parë nga larg se një automjet policie ia ka bërë me drita të gjata, me shenjë për të ndaluar. Pasi ka parë nga pasqyra automjetin e policisë, i është përgjigjur shenjës se ndalimit, ka hapur krahun dhe ka ndaluar mjetin pranë hotel “Dilo”, ku njëkohësisht prapa mjetit të tij ka qenë dhe automjeti i policisë. Sipas deklaruesit, nga automjeti i policisë ka zbritur një punonjës policie, i cili është afruar pranë automjetit duke i kërkuar dokumentet e mjetit. Sipas deklaruesit, është bindur urdhrit të punonjësit të policisë dhe ka filluar që të japë dokumentet. Sipas deklaruesit, në këto momente, ai ka parë përpara automjetit te tij, në krahun e djathte, një punonjës policie, i cili po ndiqte një person me vrap duke kaluar rrugën në krahun tjetër, duke shoqëruar edhe me fjalët, “ndalo policia”, në drejtim të këtij shtetasi që po largohej me vrap. Sipas deklaruesit, veprimet e mësipërme i kanë tërhequr vëmendjen dhe ka parë se shtetasi që po vraponte dhe punonjësi i policisë që po e ndiqte, kanë hyrë në një rrugice, e cila korrespondon përballë me hotel “Dilo”, e cila të çon pranë ish-Shkollës së Partisë. Sipas deklaruesit, gjatë këtij momenti, punonjësi i policisë, i cili i kishte kërkuar dokumentet, dhe po ndiqte me sy kolegun e tij, i ka kthyer dokumentet e mjetit dhe pasi ka mbyllur automjetin e policisë, ka vrapuar duke kaluar rrugën me qëllim të ndiqte drejtimin nga iku shtetasi në fjalë dhe punonjësi i policisë. Sipas deklaruesit, në këto momente i ka kërkuar punonjësit të policisë nëse mund të lëvizte, por ky i fundit nuk i ka kthyer përgjigje. Sipas deklaruesit, gjatë kësaj kohe ka qëndruar në automjetin e tij pa lëvizur fare, ku pas disa minutave ka dëgjuar një krismë si ajo e armëve të zjarrit dhe ka dëgjuar një zë personi, i cili ka thënë se e vranë. Sipas deklaruesit, pas këtij momenti ka dalë nga automjeti, është afruar drejt vendit ku kishte dëgjuar krismën dhe ulërimën, rreth pesëmbëdhjetë metra larg, në rrugicën që kufizohej me një servis automjetesh. Sipas deklaruesit, pasi është afruar në rrugicë, njëkohësisht në këtë vend është afruar një punonjës policie, i cili ka shikuar në drejtim të një personi, i cili ishte shtrirë në tokë, ku pas disa sekondave në këtë vend ka shkuar dhe një punonjës policie tjetër me vrap, i cili i është drejtuar kolegut duke i thënë se çfarë donte që kishte shtirë me armë. Sipas deklaruesit, pas rreth një minute në vendin e ngjarjes kane shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët janë afruar pranë shtetasit shtrire dhe nga ky moment punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të largohej nga vendi.