Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Kriza e pandemisë, Të ardhurat për frymë bien me rreth 300 euro

Nga A2 CNN
9 Mars 2021, 14:38 | Ekonomi

Pandemia e COVID 19 ka rrëzuar të ardhurat e qytetarëve shqiptarë. Sipas Ministrisë së Financave, cdo qytetar ka humbur mesatarisht 36 mijë lekë prej krizës, ose rreth 300 euro. Të dhënat e publikuara në Kuadrin Makroekonomik 2022 -2024 tregojnë se në vitin 2020 të ardhurat mesatare për frymë kanë arritur në 552 mijë lekë nga 588 mijë lekë që ishin një vit më parë.

Pra, një tkurrje me 36 mijë lekë. Qeveria parashikon që të ardhurat për frymë të rriten duke filluar nga ky vit, ku parashikohet që të arrijnë në 592 mijë lekë. Në këtë mënyrë do të rikuperohet rënia e shënuar gjatë vitit të kaluar dhe madje, të ardhurat për frymë do të jenë edhe më të larta se ato të vitit 2019.

Rënia e të ardhurave për frymë të qytetarëve ndodhi pas karantinës, që goditi kryesisht sektorin e shërbimeve dhe turizmin. Rreth 47 mijë persona humbën vendet e punës dhe me mijëra biznese u gjendën në vështirësi të forta dhe shumë prej tyre rrezikuan falimentin.

Nga ana tjetër, INSTAT raporton për ulje të nivelit të pagave në sektorin privat, ndryshe nga administrata shtetërore ku pagat janë rritur. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e tretë 2020 paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin privat ishte 47486 lekë, duke pësuar një rënie prej 3,6% në krahasim me tremujorin e dytë.

Të ardhurat nga pagat janë edhe burimi kryesor i jetesës për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare.

A2 CNN Livestream

Dita jonë