Listat u mësuan, tani fushatë!

A do të kemi të riatdhesuar të tjerë nga kampet siriane? Çuçi zbulon në “Absolut 4”

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi njoftoi në “Absolut 4” se së shpejti do të kemi lajme pozitive të shpëtimit nga vuajtjet të shqiptarëve që ndodhen në kampet e Sirisë. I pyetur në lidhje me vizitën në Siri, ministri theksoi se kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në ato kampe.

“E kam thënë publikisht qëllimin e vizitës dhe s’kam gjë më tepër që do të thotë nuk është një përpjekje, por është e vazhdueshme, ashtu si paraardhësi im, nuk e kam ndërprerë punën për të riatdhesuar çdo shqiptar të mbetur në kampet e Sirisë. Vizita ime ishte një nga hapat që po ndërmarrim për këtë qëllim. Do të kemi në një kohë të shpejtë edhe lajme pozitive në lidhje me shpëtimin nga vuajtjet të shqiptarëve që kanë mbetur në ato kampe”. (Për më shumë)

Çuçi: Marrëdhënia e mirë me institucionet ligjzbatuese do të sjellë rezultate të suksesshme

“Tashmë statistikat e Policisë do të njehsohen me statistikat e Prokurorisë dhe do të jenë shumë afër me statistikat e Gjykatës”. Kështu u shpreh në Absolut 4, ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, i pyetur në lidhje me ngjarjet kriminale në vend.

“Policia publikon raporte në lidhje me sukseset kundër krimit. Keni raport vjetor për këtë e raporte mujore që lidhen me statistikat. Nuk është momenti dhe nuk duhet që ministri i brendshëm të njehsohet me zëdhënësin e Policisë, por të krijojë kushtet e të ketë vullnet politik që policia të kryejë detyrat e siç e ka përcaktuar ligji. Kemi marrëdhënie të mirë me institucionet ligjzbatuese kemi kuadrin ligjor dhe tashmë statistikat e policisë do njehsohen me statistikat e prokurorisë dhe do jenë shumë afër me statistikat e gjykatës. Nëse më parë policia vepronte dhe kishte rezultat në çuarje në prokurori, shumë çështje pushoheshin dhe kriminelët liroheshin dhe ky ishte një rreth vicioz, dhe ky bashkëpunim do sjellë rezultatin final në dënimin e  çdo keqbërësi në Shqipëri”. (Për më shumë)

Parandalimi i bimëve narkotike, kritikat e DASH dhe OFL, Çuçi: Shqipëria ka fituar besueshmëri

Operacioni i sotëm ndërkombëtar Shqipëri-Itali Gjermani, ku droga sigurohej nga Vlora dhe që çoi në arrestimin e disa personave më urdhër të gjykatës së Romës, është udhëhequr nga Shqipëria. Këtë konfirmoi në studion e “Absolut 4” ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, i cili shtoi se vendi ynë ka krijuar një besueshmëri të madhe në Europë dhe është ulur në Europol si vend anëtar i Europës.

“Ato që janë kapur sot dhe që aksioni ka qenë i udhëhequr nga ne i takon mbjelljes së vitit të kaluar. Operacione të përbashkëta me Italinë jemi në nivel besueshmërie si një organ i vetëm dhe me Anglinë dhe Shqipëria është e ulur në Europol si një vend anëtar dhe asnjë vend i rajonit nuk është ulur si ne, as Serbia e as Maqedonia e Veriut. Kjo tregon që policia jonë është në nivel e standard të kënaqshëm përderisa fituam besimin e tyre”.

Çuçi thekson se ky besim i fituar duhet të mbahet, teksa sjell në vëmendje dhe shifrat e ulura të  kanabisit që tregtohej në Itali në vitin 2020, përkundër vitit 2016. (Për më shumë)

“Absolut 4”, Çuçi: Çdo shtetas do të votojë, qoftë me dokument identifikimi të skaduar

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në një intervistë për “Absolut 4” deklaroi se qeveria nuk do të lejojë që shtetasit të mos votojnë për arsye të skadimit të dokumentit të identifikimit.

“Vetë shtetasi e ka si përgjegjësi që të aplikojë, ne kemi rritur kapacitetet dhe kemi mbajtur hapur zyrat ditën e shtunë. Megjithatë, sërish po shikojmë që ka një numër të madh shtetasish që nuk e kanë rinovuar dokumentin e tyre të identitetit. Ne do ta marrim shumë shpejt vendimin për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumentit të identitetit dhe unë garantoj që të gjithë shtetasit do të kenë një dokument në dorë për të votuar, qoftë edhe të skaduar”, u shpreh ministri.

Në lidhje me teknologjinë në zgjedhje, Çuçi theksoi se përdorimi i saj “do të përmirësojë standardin e zgjedhjeve”.

“Mbi të gjitha do të shërbejë si parandalim drastik i fenomenit të votimit të dyfishtë”, nënvizoi ministri i Brendshëm. (Për më shumë)

Mediu: Kushtetuesja dënoi pabarazinë politike, Rama po tenton të fusë në karantinë opozitën

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e Partisë Republikane për të ndryshuar përcaktimin e masave kufizuese për fushatën zgjedhore.

 Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i ftuar në “Absolut 4”, gjykon se për një analizë më të thelluar “duhet pritur vendimi i plotë” , por ndërkohë sipas tij Kushtetuesja ka evidentuar disa elemente.

“Po të analizojë vendimin, elementi i parë është që Kushtetuesja i ka thënë qeverisë që ka marrë një veprim jashtë normave kushtetuese. Unë absolutisht nuk dua të neglizhoj pandeminë, por duhet të ndalojmë shtetin dhe qeverinë që në mënyrë të papërgjegjshme synon të kufizojë liritë e qytetarëve, ndërkohë që synon t’ia ofrojë me shumicë vetes së vet”, thotë lideri republikan.  

Mediu flet për pabarazi politike. “ Ka pabarazi politike. Thuhet se partitë politike mund të bëjnë aktivitet me jo më shumë se 10 veta, ndërkohë që vetë kryetarja e Komitetit i ka kthyer përgjigje Parlamentit që mund të mblidhet sa herë të dojë me të gjithë deputetët, përfshirë administratën, që janë mbi 100 veta. Por kur ky aktivitet zhvillohet në një ambient të hapur,  është e domosdoshme të jenë 10 veta? Unë mendoj që masat duhet të jenë distancimi dhe maskat, të tjera janë më tepër abuzive dhe të qëllimshme. Vetë kryetarja e Komisionit ka abuzuar me këtë vendim, duke marrë pjese në aktivitetet e Partisë Socialiste”.

Sipas Mediut, në këtë mënyrë, “ kryeministri po tenton të fusë në karantinë opozitën gjatë fushatës zgjedhore, në pjesëmarrje por edhe në kufizimet kohore”. (Për më shumë)

Mediu: Rama më ngjall neveri sa herë që flet si rrugaç, është kulmi i së keqes

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e “Absolut 4”, u shpreh se kryeministri Edi Rama është “kulmi i së keqes që mund të ketë një vend”.

“Rama më ngjall neveri sa herë që flet si rrugaç. Të kesh një kryeministër rrugaç është turp për një vend, kulmi i së keqes që mund të ketë një vend. Sali Berishën nuk e krahasoj kurrë në botë me Edi Ramën. Berisha ka qenë njeriu që ka drejtuar revolucionin demokratik në Shqipëri, liberalizoi vizat e shumë të tjera. Ndërsa ky batakçi shet Shqipërinë, Kosovën dhe socialistët”, deklaroi Mediu.

Kur u pyet për listën e paraqitur nga opozita, Mediu tha: “Është ndërtuar një listë që është përpjekur të ruajë vlerën e koalicionit dhe boshtin e Partisë Demokratike. Avantazhi i parë është që ka koalicion të gjerë, që Edi Rama nuk e ka. Kjo është një vlerë e shtuar, por që duhet të funksionojë. Çdo votë e partive aleate duhet të kthehet në votë efektive për të gjithë koalicionin. Suksesi i opozitës do të qëndrojë në bashkëpunimin në çdo qendër votimi”.

Sipas Mediut, mund dhe duhet të kishte pasur më shumë risi: “Do të doja të kisha parë më shumë risi dhe janë të gjitha mundësitë për të pasur risi. Unë kam bindjen se ka kualitete të jashtëzakonshme, që do të bëheshin pjesë po të ndërtonim një raport më të zhdërvjellët. Ana tjetër është funksionimi i koalicionit. Të gjithë kandidatët për deputet duhet të besojnë që ka shansin për të fituar”. (Për më shumë)

“Rama ka një sistem informativ kriminal”, Mediu në “Absolut 4”: Të gjithë të dhënat e qytetarëve janë në dorën e PS-së dhe kryeministrit

Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, deklaroi në studion e “Absolut 4” se kryeministri Edi Rama “ka një sistem informativ kriminal, ku ka marrë të dhënat e të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

“Edi Rama ka një sistem informativ kriminal, ku ka marrë të dhënat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që tregojnë se ku jetojmë, numrin e telefonit, problemet që kemi me shtetin, me çfarë merremi, me përbërjen tonë familjare, qasjen tonë politike etj. Të gjithë të dhënat e qytetarëve janë në dorën e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, për t’i intimiduar dhe për të ndërtuar politika që i interesojnë atij”, tha Mediu.

“E ka bërë edhe më përpara. Janë disa përfaqësues të PS-së që e kanë këtë sistem, ku mund të logohesh dhe gjen të dhënat. Të dhënat tona personale janë në dorën e një grupi politik”, shtoi Mediu. (Për më shumë)

Dalja me dy lista e opozitës, Mediu: Për të arritur maksimumin e mandateve

Dalja me dy lista  e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit është mënyra më e mirë për të arritur maksimumin e mandateve. Kështu u përgjigj Fatmir Mediu në studion e “Absolut 4’, nëse do të dilnin me një listë do të binte pesha elektorale e PD-së dhe kjo do të çonte në dëm të rezultatit zgjedhor.

“Një mandat brenda apo jashtë koalicionit ka të njëjtën vlerë votash interesi i PR do të ishte më mirë të dilte më vete. Çështja është që në ato vende ku nuk merret mandati kjo është në favor të Ramës dhe për PR ishte e palogjikshme. Ndërtimi i koalicionit me dy grupime është më e mira për efekt politik se spektri i kësaj opozite është edhe i majtë jo vetëm i djathtë. Nëse do i kishim në një listë unike do binte pesha e PD. Do ishte më e komplikuar dhe rënia e peshës elektorale do ishtr në dëm të rezultatit. Mendoj që kjo është mënyra më e mirë për të arritur maksimumin e mandateve”.

Sipas Mediut me këtë sistem elektoral ka mundësi që në zona të vogla mund të krijohet bashkëpunim. (Për më shumë)

Blendi Salaj: Cili nga të pranishmit në listën e PS-së e ka kundërshtuar një herë Ramën?

“Duket sikur të futësh në politikë është si të luash bixhoz. Një ditë prej ditësh ti je jashtë, pavarësisht kontributit që ke dhënë”, thotë analisti Blendi Salaj në ”Absolut 4”, duke komentuar listat zgjedhore të zyrtarizuara ditën e djeshme. (Për më shumë)

Mediu: Kushtetuesja dënoi pabarazinë politike, Rama po tenton të fusë në karantinë opozitën

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e Partisë Republikane për të ndryshuar përcaktimin e masave kufizuese për fushatën zgjedhore.

 Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i ftuar në “Absolut 4”, gjykon se për një analizë më të thelluar “duhet pritur vendimi i plotë” , por ndërkohë sipas tij Kushtetuesja ka evidentuar disa elemente.

“Po të analizojë vendimin, elementi i parë është që Kushtetuesja i ka thënë qeverisë që ka marrë një veprim jashtë normave kushtetuese. Unë absolutisht nuk dua të neglizhoj pandeminë, por duhet të ndalojmë shtetin dhe qeverinë që në mënyrë të papërgjegjshme synon të kufizojë liritë e qytetarëve, ndërkohë që synon t’ia ofrojë me shumicë vetes së vet”, thotë lideri republikan.  

Mediu flet për pabarazi politike. “ Ka pabarazi politike. Thuhet se partitë politike mund të bëjnë aktivitet me jo më shumë se 10 veta, ndërkohë që vetë kryetarja e Komitetit i ka kthyer përgjigje Parlamentit që mund të mblidhet sa herë të dojë me të gjithë deputetët, përfshirë administratën, që janë mbi 100 veta. Por kur ky aktivitet zhvillohet në një ambient të hapur,  është e domosdoshme të jenë 10 veta? Unë mendoj që masat duhet të jenë distancimi dhe maskat, të tjera janë më tepër abuzive dhe të qëllimshme. Vetë kryetarja e Komisionit ka abuzuar me këtë vendim, duke marrë pjese në aktivitetet e Partisë Socialiste”. (Për më shumë)