Shteti i parë në Europë që do të prodhojë vaksinën ruse

KR ITALI VAKSINA RUSE frame 179 1100x620

Vaksina ruse anti-Covid “Sputnik V” do të prodhohet edhe në Itali. Konfirmimi vjen nga Dhoma Tregtare Italo-Ruse, që shpjegon se është “firmosur marrëveshja e parë në Europë mes fondit qeveritar rus dhe shoqërisë Adienne Pharma&Biotech për prodhimin e dozave” në rajonin e Lombardisë.

Partneriteti do të mundësojë nisjen e punës që prej korrikut të këtij viti. Parashikohet që në Itali të prodhohen 10 milionë doza deri në fund të 2021. Vaksina ruse po analizohet aktualisht nga Agjencia Europiane e Barnave dhe pritet që shumë shpejt të publikohet një vlerësim lidhur me përdorimin e saj. Dhoma e Tregtisë Italo-Ruse tha se akordi i arritur tregon marrëdhëniet e mira mes të dyja vendeve dhe vlerësoi kompanitë italiane duke theksuar se dinë të shohin përtej polemikave politike.

Gjithashtu, pohon se kjo do të krijojë vende të reja pune. Kjo vjen, teksa Italia kapërceu pragun e trishtë të mbi 100 mijë jetëve të humbura që prej nisjes së pandemisë koronavirus, duke u bërë kështu shteti i dytë i Europës, pas Britanisë së Madhe, që tejkalon shifrën tragjike. Ministria italiane e Shëndetësisë njoftoi se në total numri i të infektuarve është mbi 3 milionë.

Qeveria ka vendosur në zbatim një sërë masash kufizuese, kryesisht rajonale, për të frenuar nivelin e përhapjes. Ndërsa kryeministri, Mario Draghi, u zotua të përshpejtonte planin e vaksinimit për të kthyer sa më parë jetën normale.