Skandali i maskave përfshin partinë e Angela Merkel

Unioni Kristiandemokrat, CDU, i kancelares gjermane, Angela Merkel, përfshihet nga një skandal në një moment mjaft delikat. Nikolas Löbel dha dorëheqjen nga anëtarësia në parti, mandati parlamentar dhe çdo angazhim politik për shkak të aferës së maskave mbrojtëse.

Gjithashtu, ai u kërkoi falje publike qytetarëve dhe kolegëve në CDU. Por, duket se as kjo nuk do ta mbyllë çështjen që ka ngjallur mjaft debate publike politike në Gjermani. Prokuroria publike në Mannheim ka hapur një proces rishikues kundër ish-anëtarit të Bundestagut.

Autoritetet do të vlerësojnë nëse ka mjaftueshëm dyshime dhe baza konkrete për të nisur një hetim ndaj Löbel. Skandali ku është përfshirë ish-deputeti i CDU-së ka të bëjë me ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për shitjen e maskave, ku ai ka përfituar një komision prej 250 mijë eurosh për ta mundësuar akordin.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, 34-vjeçari ka përfituar nga pandemia koronavirus duke u ofruar kompanive të sektorit shëndetësor, furnizime nga firma e tij në Baden-Württemberg. Partisë së Angela Merkel, telashet i shtohen edhe nga një anëtar tjetër i koalicionit qeverisës.

Georg Nüsslein, i cili po hetohet për korrupsion dhe marrëveshjen për maskat, është larguar vetëm nga grupi parlamentar dhe nuk pranon të heqë dorë nga mandati në Bundestag. Kjo mund të dëmtojë Unionin Kristiandemokratnë në një vit kritik si 2021, pasi gjermanët do të votojnë në shtator për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj të parlamentit.