Stuhia në familjen mbretërore, zhvillohen takime urgjente, Harry shfajëson mbretëreshën

Bombat e lëshuara nga princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, gjatë intervistës për Oprah Winfrey, vijojnë të përçojnë valë shoku në familjen mbretërore.

Takime urgjente, ku përfshihen zyrtarë të lartë të monarkisë, po zhvillohen pas shfaqjes së intervistës ditën e diel. Korrespondentja e BBC për familjen mbretërore, Daniela Relph, tha se për sundimtarët e Mbretërisë së Bashkuar po bëhej gjithnjë e më vështirë të përmbahej nga komentet pas deklaratave të Harry-t dhe Meghan. Çifti që braktisi detyrat mbretërore 1 vit më parë duke u larguar drejt Los Anxhelosit, foli për racizëm, problemet mendore, sulmet e mediave dhe pjesëtarë të tjerë të familjes gjatë intervistës.

Meghan, e para pjesëtare me racë të përzier në rangjet e monarkisë moderne britanike, tha se pika më e ulët erdhi kur Harry u pyet nga një pjesëtar i paidentifikuar i familjes se sa e errët mund të ishte lëkura e djalit të tyre Archie. Djali më i vogël i princeshës Diana dhe princit Charles, sqaroi më vonë se komentet nuk ishin bërë as nga mbretëresha e as nga bashkëshorti i saj, Duka i Edinburgut. Opinionistja mbretërore dhe biografia, Penny Junior, i hodhi poshtë pretendimet për racizëm.

“Kam shkruar për këtë familje dhe i kam ndjekur për 40 vjet dhe kurrë nuk kam vërejtur ndonjë grimcë racizmi. Bëhet fjalë për një familje që është binjakëzuar me Commonwealth. Nuk kam parë kurrë racizëm dhe prandaj komentet më duken të vështira për t’u kapërdirë”, tha Penny Junior.

Në intervistë, Meghan Markle tha se jeta mbretërore bëhej aq e vështirë ndonjëherë sa kishte menduar të vetëvritej. Ajo rrëfeu se kishte kërkuar ndihmë, por nuk e kishte marrë atë. Lideri i laburistëve, Keir Starmer, tha se pohimet e Meghan për racizmin dhe mungesën e mbështetjes për problemet mendore duhet të merren shumë seriozisht.

Kryeministri Boris Johnson refuzoi të komentonte, por tha se vlerësonte maksimalisht mbretëreshën dhe rolin unifikues të saj.