Zgjedhjet e 25 prillit, emrat me të cilët partitë e reja synojnë mandate

Krahas kampeve kryesore politike, me Partinë Socialiste në njërën anë dhe koalicionin e Partisë Demokratike dhe aleatin Lëvizja Socialiste për Integrim, tabloja e zgjedhjeve të 25 prillit plotësohet me një sërë partish që kanë zgjedhur të kandidojnë të vetme, në koalicion, apo përmes kandidatëve të pavarur.

Në ditën e fundit kur skadoi afati për të regjistruar kandidatët, ndër subjektet që zyrtarizuan pjesëmarrjen përfshihet Nisma Thurje, ku në qarkun e Tiranës, listën e kryeson ekonomisti Pano Soko, ndjekur nga kryetari Endri Shabani, që gjithashtu garon edhe në Durrës, Korçë dhe Vlorë. Për Thurjen, qarkun e Elbasanit e kryeson deputetja Rudina Hajdari, që zgjedhjen e kaluar garonte me Partinë Demokratike.

Megjithatë, subjekti që regjistroi i pari kandidatët më 8 mars ishte Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, që do të kryesojë vetë listën në Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Gjatë paradites u regjistruan edhe Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare e deputetit Myslim Murrizi, që kandidon po ashtu në 4 qarqe; Aleanca Demokracia e Re e Edmond Stojkut si dhe Lëvizja e Re e Arian Galdinit. Kjo e fundit, ndryshe nga të gjitha subjektet e tjera që kanë marrë mbështetjen e deputetëve aktualë të Kuvendit, ka depozituar firmat mbështetëse në KQZ.

Firmat kanë depozituar edhe kandidatët që garojnë si të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Boiken Abazi në Tiranë, Iliaz Shehu në Lezhë dhe Kreshnik Merxhani në Gjirokastër janë të tre kandidatë nga Qendra e Shqipërisë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa minatori nga Bulqiza, Elton Debreshi kandidon si i pavarur në qarkun e Dibrës.

Gjatë mbrëmjes, vetëm 1 orë para skadimit të afatit, dorëzuan listat edhe Partia Balli Kombëtar, Bindja Demokratike, Partia Social Demokrate dhe koalicioni ABEOK. Deputeti Adriatik Alimadhi kandidon i pari për Ballin Kombëtar në qarqet Tiranë, Korçë, Berat dhe Fier.

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, kryeson listën në qarkun e Tiranës. Në Vlorë, listën për këtë parti e kryeson Ardian Kollozi, ndërsa në Korçë deputeti aktual Andi Përmeti.

Me interes të madh, për shkak të presionit ndërkombëtar për të mos kandiduar, u ndoq edhe depozitimi i listave të Partisë Social Demokrate, ku kryetari Tom Doshi zgjodhi Tiranën dhe Shkodrën, qark ky i fundit ku synon të ripërsërisë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, ku fitoi mandatin e tij si deputet.

Koalicioni i vetëm krahas atij të Partisë Demokratike që u regjistrua në këto zgjedhje është ai i Partive Aleanca Ora Kombëtare, Emigracioni, Bashkimi Popullor dhe Konservatorët, njohur si ABEOK. Deputetët aktualë, Kostaq Papa dhe Selami Jenishehri, do të kandidojnë të parët në Tiranë, Zef Shtjefni në Shkodër dhe Kujtim Gjuzi në Durrës.

Së bashku me forcat kryesore politike, këto përbëjnë partitë dhe kandidatët që do të jenë në fletën e votimit të këtyre zgjedhjeve parlamentare.