Dëbimi i çiftit egjiptian nga Shqipëria, Gjykata e Lartë e dërgon çështjen në Administrative

Gjykata e Lartë ka shpallur vendim lidhur me një betejë gjyqësore të nisur nga një çift bashkëshortësh egjiptianë, 13 vjet më parë.

Bashkëshortët Abdelaziz Ibrahim dhe Hanem Mohamed ankimuan në gjykatën e Tiranës në vitin 2008 vendimin e Ministrisë së Brendshme për dëbimin e tyre nga Shqipëria, ku qëndronin prej 13 vitesh si drejtues të dy organizatave jofitimprurëse “Komiteti i Botës Islame” dhe “Mirësia”. Atyre nuk iu rinovua leja e qëndrimit nga Ministria e Brendshme dhe u urdhërua dëbimi nga Shqipëria, si persona të dëshiruar, bazuar në një raport të SHISH ku nuk jepej pëlqim për qëndrimin e tyre në Shqipëri.

Në përballjet gjyqësore të çiftit egjiptian dhe gjykatës nuk u citua asnjëherë përmbajtja e shkresës, apo arsyet e urdhrit të dëbimit, për shkak të sekretit shtetëror, por vetëm konkluzioni i Shërbimit Informativ. Nga ana tjetër, ndaj tyre nuk ka pasur asnjë hetim penal.

Beteja e çiftit egjiptian, prindër të tre fëmijëve, një prej të cilëve lindur në Shqipëri, ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend. Në janar të vitit 2015 për të u shpreh edhe Gjykata Kushtetuese, që vlerësoi shkelje dhe dërgoi çështjen për rigjykim në Gjykatën e Lartë.

Pak ditë më parë, kjo gjykatë i dha fund rigjykimit, duke vlerësuar se çështja duhet të dërgohet për gjykim në Apelin Administrativ, si gjykatë kompetente. Gjykata e Lartë ka vlerësuar se Apeli i Tiranës nuk ka realizuar proces të rregull, pasi i ka lënë palët në kushte të pabarabarta. Sipas Kolegjit Administrativ, Apeli i Tiranës ka refuzuar ankimin e dy egjiptianëve, pa administruar si provë shkresën e SHISH dhe në këto kushte, dy bashkëshortët nuk kishin si të mbroheshin pa u njohur me përmbajtjen.

Duke vlerësuar nevojën e gjykimit me objektivitet Gjykata e Lartë arsyetonte:

“Në raste të caktuara, gjykata duhet të vlerësojë mundësinë e marrjes së informacionit sekret, qoftë dhe pjesërisht, në masën që është e nevojshme për të vlerësuar ndërhyrjen e veprimtarisë shtetërore në sferën private të individit, duke respektuar detyrimin për të ruajtur konfidencialitetin e informacionit që ajo administron”.

Po sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk ka mbajtur parasysh faktin se një prej fëmijëve të çiftit ka lindur në Shqipëri dhe si i tillë gëzon mbrojtje të dyfishtë, si shtetas shqiptar, ndaj të cilit nuk lejohet dëbimi.

Vendimi u konsiderua me rëndësi nga Gjykata e Lartë për praktikën gjyqësore, lidhur me mosdëbimin e shtetasve të huaj dhe aksesit gjyqësor në të dhënat “sekret shtetëror”.