Kina dhe Rusia do të ndërtojnë stacion hapësinor në Hënë

Në hënë do të ndërtohet stacioni i parë hapësinor. Agjencia Hapësinore e Rusisë, “Roscosmos”, bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje me Administratën Hapësinore Kombëtare të Kinës për të vendosur godina kërkimore në sipërfaqen e trupit qiellor që konsiderohet dhe si sateliti i planetit tonë.

Gjithashtu, do të ndërtohet edhe një tjetër në orbitë. Në një deklaratë nga të dyja agjencitë hapësinore thuhet se stacioni do të jetë i disponueshëm për përdorim edhe nga vendet e tjera. Kjo vjen teksa Rusia përgatitet të festojë përvjetorin e 60-të të udhëtimit të parë hapësinor me njerëz në bord. Stacioni Ndërkombëtar Shkencor Hënor do të kryejë një sërë kërkimesh shkencore, përfshirë eksplorimin dhe përdorimin e trupit qiellor.

Në deklaratë thuhet se Kina dhe Rusia do të përdorin eksperiencën e tyre në shkencën hapësinore, kërkimin, zhvillimin dhe përdorimin e pajisjeve dhe teknologjive për ta bërë të mundur zbatimin e planit ambicioz. Gjithashtu, do të bashkëpunojnë sa i përket projektimit të stacionit në sipërfaqen e Hënës. Kina ka rritur kapacitet eksploruese hapësinore dhe së fundmi kreu me sukses një operacion në satelitin natyral të Tokës.

Kthimin në Hënë e planifikojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2024. Programi, i quajtur Artemis, konsiston në dërgimin e një burri dhe gruaje në sipërfaqen e hënës. Kjo do të shënojë dërgimin e parë të njerëzve në trupin qiellor që prej vitit 1972. Hëna konsiderohet mjaft e rëndësishme, pasi planifikohet të përdoret si trampolinë për të eksploruar planetet e tjera dhe hapësirën.