Kreu i CDU me Bashën: Lufta ndaj korrupsionit, thelbësore për integrimin

Kryetari i CDU-së gjermane, Armin Laschet  ka cilësuar si çështje kritike për integrimin e Shqipërisë në BE, luftën e korrupsionit.

I pranishëm në forumin “Perspektivat për një të ardhme evropiane të vendit”, e organizuar nga fondacioni “Conard Adenauer”, Laschet vuri theksin te braktisja e vendit nga të rinjtë.

“Gjithnjë e me shume te rinj braktisin vendin, për këtë duhet të bëhet diçka, në vitin 2019 nga Shqipëria u larguan 360.000 qytetarë nga vendlindja e tyre, kjo duhet te shërbejë si një sinjal paralajmërues qe përgjegjësit te bëjnë me shumë për arsimin dhe shanset në tregun e punës.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjithashtu i pranishëm në forum, u zotua se, me ardhjen në pushtet do t’i shërojë këto plagë të shoqërisë.

“Ne duhet të nisim një luftë të vërtetë dhe një përpjekje kombëtare të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Kjo nuk ka ndodhur gjatë 8 viteve të shkuara. Qeveria nën drejtimin tim do të drejtojë këto përpjekje me buxhete madhore me rritjen e forcave të sigurisë me përdorimin e teknologjisë dhe me bashkëpunimin më të ngushtë të mundur me  vendet e Bashkimit Evropian”.

Kryetari I fondacionit “Conard Adenauer”, Tobias Rutershof duke folur për 25 prillin, nënvizoi rëndësinë e të paturit zgjedhje të lirshme dhe të ndershme, ndërsa bëri thirrje për pastërtinë e kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhje, si kusht për integrimin në BE.