Letra nga Siria, Shahini: Kërkojmë ndihmë, çfarë do bëhet me ne dhe fëmijët tanë

Revajet Shahini, një prej nënave të dërguara në kampin Roxh, pas daljes nga al-Hawl ka dërguar një letër në redaksinë e A2CNN.

Ajo kërkon të dijë se çfarë po ndodh me riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur në Siri. Edhe pse Shahini është nga Maqedonia e Veriut ajo kërkon ndihmë për djalin e saj Osama.

“Mami i Fidanit qe po ju shkruaj. Nuk e di çfarë ndodhi me kthimin tonë. Më thatë që të bashkohesha me shqiptarët për t’u kthyer në vendin tim së bashku me djalin tim. Ju morët 1 familje dhe Endrin dhe na latë përsëri në Siri. Ato shqiptarët që erdhën më thanë që do të interesoheshin edhe për djalin tim. U larguan pa asnjë përgjigje”.

Letra e Revajet Shahinit për redaksinë e A2

Sipas saj, u bënë 5 muaj pas operacionit të parë ku u arrit të merren 4 anëtarët e familjes Rasha dhe Endri Dumani.

“U bënë 5 muaj që asnjë gjë nuk dimë për fëmijën tim. Patëm shpresë që do ktheheshim por nuk e di  se çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodh me kthimin tonë”.

Një ditë më parë ministri i Brendshëm njoftoi në emisionin “Absolut 4” në A2 se së shpejti do të kemi lajme pozitive të shpëtimit nga vuajtjet të shqiptarëve që ndodhen në kampet e Sirisë. I pyetur në lidhje me vizitën në Siri, ministri theksoi se kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në ato kampe.