Nuk ndodh “remuntada”, PSG në çerekfinale, Messi në shtëpi

Messi 1100x620

Sfida mes Paris Saint Germain dhe Barcelonës sot nuk pati fitues, por janë francezët ata që kalojnë në çerekfinale falë super performancës (1-4) së ndeshjes së parë. Gjithsesi, rezultati 1-1 i shkon pak ngushtë blaugranave, që në Paris u treguan detyrimisht më kërkues dhe rrezikuan më shumë portën kundërshtare.

Pavarësisht dominimit fillestar të lojës, janë parisienët që kalojnë në avantazh me penallti në minutën 30 me fenomenin Mbappen rekordmen, ku asnjë si ai ka shënuar 25 gola në Champions në të njëjtën moshë.

Por Barca nuk gjunjëzohet dhe barazon 7 minuta më vonë falë një prej golave më të bukur të sezonit, një predhë e Leo Mesit që shtang Navas.

Blaugranat kanë edhe iluzionin e një përmbysje historike, por në fundin  e pjesës së parë pikërisht Messi hipnotizohet nga Navas nga 11 metrat, duke vulosur disi fatin e kualifikimit.

Në pjesën e dytë, Barca krijon raste të tjera por mungon saktësia e duhur, ndërkohë që PSG tashmë mund të synojë kundërshtarin e radhës, me objektiv atë trofe që ende i mungon.