“Osmani duhet të kthehet”, Lutfi Haziri zyrtarizon kandidimin për kryetar të LDK

Lutfi Haziri zyrtarizon kandidimin për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i Komunës së Gjilanit tha se zgjedhjet e brendshme do ta forcojnë këtë parti dhe bëri thirrje për unitet. Haziri tha se nuk i konsideron rival politik dy kandidatët e tjerë, Anton Quni dhe Lumir Abdixhiku, të cilën synojnë të udhëheqin LDK-në pas dorëheqjes së Isa Mustafës si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Ai tregoi dhe qasjen karshi Vjosa Osmanit, teksa theksoi se ka ardhur koha që ajo të kthehet sërish në parti.

 “Kurrë nuk e kam parë jashtë LDK-së Vjosa Osmanin, ka qenë vullnet i saj, nuk ka mundur askush ta përjashtojë politikisht, kemi punuar në 2019-ën dhe LDK rënien nuk e ka në dekadë, rënia e LDK-së ka ndodhur prej 6 tetorit deri më 14 shkurt, besoj që ka ardhur koha me u pajtuar, edhe me u pajtuar dhe me u kthy në LDK për të dhënë kontributin e saj”, deklaroi Haziri.

Haziri shtoi se synon të kthejë LDK-në forcë të parë politike në Kosovë me anë të rikthimit të atyre që humbën besimin. Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit, ai tha se një qëndrim zyrtar do të bëhet publik vetëm pasi të mësohet emri i kryetarit të ri. Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen ditën e dielë, më 14 mars.