“Tifozat Kuq e Zi” kërkesë qeverisë: Hapni stadiumet!

tifozat 1100x620

Me futbollin që ka rinisur prej disa muajsh, stadiumet vijojnë të mbeten të mbyllura edhe një vit pas shpërthimit të pandemisë. Ndërsa UEFA ka promovuar hapjen e pjesshme të stadiumeve, deri në 30 për qind të kapaciteteve, në Shqipëri mugon një nismë e tillë.

Çështja është sjellë në vëmendje nga Tifozat Kuq e Zi. Grupimi i organizuar që mbështet Kombëtaren në çdo ndeshje, në të gjithë botën, kërkon që situata të ndryshojë. Argumenti i Tifozave Kuq e Zi lidhet me rëndësinë e kualifikueseve të Botërorit 2022, si edhe me faktin që në vendin tonë, ashtu si edhe në të gjithë botën, ka nisur fushata e vaksinimit të popullsisë kundër COVID-19.

“Kërkojmë nga qeveria shqiptare të bëjë të mundur lejimin e pjesëmarrjes së tifozëve në ngjarjet sportive”, ishte kërkesa publike e mbështetësve të Kombëtares. Gjithçka bazuar në vendimin e qeverive të shumë vendeve europiane dhe me statistika më të rënda nga koronavirusi, të cilat kanë hapur stadiumet për tifozët, deri në 1/3-tën e kapacitetit.

Tifozët kanë kërkuar gjithashtu që Federata të shtojë presionin te autoritetet, të paktën për ndeshjet e kuqezinjve të drejtuar nga Edy Reja. Në tetor të vitit 2020, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu përgjigj negativisht kërkesës së FSHF-së, për hapjen e stadiumeve në masën 30 për qind.

Në pesë muajt e fundit, kjo çështje ishte lënë në harresë, deri në kërkesën e tifozëve.

Shqipëria nis kualifikueset e Kupës së Botës Katar 2022 më 25 mars me transfertën në Andorra. Në datën 28 mars, kuqezinjtë presin në Tiranë Anglinë, ndërsa tri ditë më pas luajnë në San Marino.