
Tmerri në Siri, 8 në 10 sirianë në vështirësi ekstreme për të siguruar ushqim dhe strehim
Të rinjtë sirianë janë ata që e kanë përjetuar më rëndë, gjithçka ka ndodhur në këtë vend përgjatë dekadës së fundit, me luftën, largimin e humbjet në familje. Ende pas 10 vitesh, ata po tentojnë të ringrihen, në përpjekje për të rindërtuar shtëpitë në vendin e tyre të lindjes, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Miliona sirianë ende nuk janë kthyer në vendin e tyre dhe qëndrojnë në shtetet ku vite më parë kanë kërkuar azil politik, sipas agjencisë humanitare.
Shkollat, spitalet dhe çdo institucion i shërbimit publik është shkatërruar nga sulmet ajrore dhe bombardimet, që kur nisën protestat për rrëzimin e qeverisë së presidentit Bashar al Assad, në mars të vitit 2011. Sirianë të moshave 18 deri në 25 vjec janë ata që e kanë paguar më rëndë çmimin, sipas vëzhgimit në terren të Kryqit të Kuq, në vendet ku 1400 sirianë jetojnë sot.
“Një nga rezultatet më shokuese të këtij vëzhgimi ishte fakti se ne kuptuam që 50% e sirianëve kanë humbur ose një anëtar të familjes ose një mik”, theksohet në raport. “Një në 6 fëmijë ka përjetuar humbjen e njërit ose të dy prindërve, apo një prej tyre ka mbetur i lënduar rëndë”.
Thuajse gjysma e popullsisë siriane e ka humbur pasurinë, për shkak të konfliktit dhe sipas Kryqit të Kuq, 8 në 10 sirianë, janë në vështirësi ekstreme për të siguruar ushqim, veshje apo një strehë.