Vendet e reja të punës, reale apo formalizim? Ekspertët përgjigjen në “A2 Business”

Krijimi i vendeve të reja të punës është një ndër premtimet kryesore që partitë politike bëjnë në fushata elektorale. Kujtojmë shifrën e bujshme të 300 mijë vendeve të reja të punës të premtuara nga socialistët në 2013-n, atëherë në opozitë, dhe tani edhe shifrën e 110 mijë vendeve të reja të punës, zotim i demokratëve që synojnë rotacionin politik më 25 prill. Por, përtej populizmit që përfaqëson premtimi për punësim, sa reale janë shifrat që sjellin partitë?

Në një lidhje me studion e “A2 Business”, Besart Kadia, zv/ministër i Financave, deklaroi se “nuk është diskutim ekonomik sa vende pune do të hapësh, por çfarë masash do të marrësh dhe sa rezultat sjellin në hapjen e vendeve të punës nga bizneset private”.

“Punësimi është derivat i disa gjërave të tjera që ndodhin në ekonomi. Numri i personave që paguajnë sigurime shoqërore është rritur dhe kemi ulje të papunësisë afatgjatë”, theksoi Kadia.

Por, sipas Zana Guxhollit, eksperte ekonomie, “shifrat që tregon qeveria janë formalizim i ekonomisë informale, jo hapje vendesh të reja pune”.  

“Sot, 40,4% e popullsisë është kthyer në varfëri relative dhe kjo tregon se sa vende pune janë hapur. Fakti që po ikën krahu i punës tregon se sa vende pune janë hapur. Shifrat që paraqet qeveria janë formalizim i ekonomisë informale, jo hapje vendesh të reja pune”, u shpreh Guxholli.

Ndërsa Elton Haxhi, ish-zv/ministër i Financave, ka mendimin se qeveria, nga 300 000 vende pune të reja të premtuara, ka hapur vetëm 50 000.

“Ne kemi rreth 28% punësim informal, sipas studimeve të ndryshme. Pra, 1 në 3 punonjës është informal. Papunësinë, nga ana tjetër, e kemi të matur nga INSTAT dhe varion 150 000-160 000 të papunë. Nëse papunësia është zvogëluar nga 17% në 11%, mua nuk më rezultojnë më shumë se 50 000 vende pune të hapura. Qeveria socialiste mund të krenohet me formalizimin e ekonomisë, jo për hapjen e vendeve të punës”, u shpreh Haxhi.

Petrit Ago, përfaqësues biznesi, deklaroi: “Shqetësimi im është mungesa e transparencës së qeverive shqiptare, që nga viti 1992. Kurrë nuk ka të dhëna të sakta sepse qeveritë asnjëherë nuk kanë pasur inventar me pikat kryesore të programeve ekonomike të premtuara. Vijnë e ikin dhe në fund japin premtime sipas interesave. Punësimet, pas vitit 2013, shumica kanë të bëjnë me formalizimin e ekonomisë. Financimi i bizneseve nga qeveria është mikroskopik në 20 vitet e fundit. Politikës i ka mbetur ora mbrapa duke menduar se një vend pune hapet me 300-3000 euro. Vend pune do të thotë që në kompani, nga 10 të punësuar që kam, si rezultat i një investimi me një pjesë financimi nga shteti, do të gjeneronte 3-4 vende pune”.

Zv/ministri i Financave, Besart Kadia, nënvizoi se “të premtosh shifra të caktuara për vende të reja pune, në kohë të pasigurta ekonomike, siç po bëhet nga opozita, më duket jo e shëndetshme për debatin ekonomik”.