Yuri Kim: Nuk është për t’u habitur nëse disa prej kandidatëve do të përjashtohen

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, pret që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të lira dhe të ndershme, por megjithatë tha jo të gjithë emrat në listat e partive politike ishin 100% të pastra nga individë që nuk duhet të kandidojnë.

“Këndvështrimi i SHBA është shumë i qartë. Mendoj se partitë e kanë marrë në konsideratë këtë gjë, jo të gjitha, por pjesa më e madhe. Tani i takon KQZ bashkë me prokurorët që të vetojnë këta kandidatë. Mendoj që nuk është për t’u habitur nëse disa prej kandidatëve do të përjashtohen. Por fuqinë përfundimtare e kanë votuesit. Në këto zgjedhje votuesit do të kenë në gjendje të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe kandidatin. Kam dëgjuar që shit-blerja e votave është problem në Elbasan dhe jo vetëm. Do t’u thosha atyre që përpiqen të blejnë vota, jeni duke shkelur ligjin dhe duke turpëruara Vota është fuqia juaj, prandaj mos e dorëzoni”, tha Kim nga Elbasani, ku më herët gjatë ditës takoi disa prej udhëheqësve politikë.

Duke mos përmendur emrat e 3 personave të cilëve Departamenti i Shtetit u ka ndaluar hyrjen në SHBA, Kim shtoi se nëse dikush shihet si kërcënim për SHBA, të tillë duhet ta shohin edhe votuesit shqiptarë. “SHBA ka qenë shumë e qartë me pritshmëritë tona për kandidatë të pastër. Është thelbësore që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi, që të sigurohen se listat e tyre të jenë në përputhje me ligjin shqiptar, por edhe duke marrë në konsideratë përcaktimet e bëra nga SHBA. E di që disa njerëz mund të thonë që ai është i përcaktuar nga SHBA por nuk është i dënuar. Por shumica e njerëzve do të bien dakord do ta kuptonin që kjo nuk ka ndodhur për shkak se mungojnë faktet, por për shkak të mungesës së drejtësisë. Kjo ka të bëjë me faktin që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar në bazë të informacioneve që ky person përbën rrezik për sigurinë e SHBA. Nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, ndoshta ka ardhur koha që edhe votuesit shqiptarë të mendojnë se kjo përbën kërcënim edhe për ta”, shtoi Kim.