10 vite nga tërmeti me magnitudë 9 rihter, u mori jetën 20 mijë personave

Me heshtje dhe fjalime, Japonia përkujtoi viktimat e tërmetit të tmerrshëm dhe cunamit që goditi vendin, 10 vite më parë.

Njerëzit u mblodhën në Tokio në memorialin kombëtar për të bërë homazhe për rreth 20 mijë viktima që humbën jetën në Fukushima, ku fatkeqësia natyrore shkatërroi banesa të shumta dhe solli shkrirje të impianteve bërthamore.

Sapo ora shënoi 14:46, momenti ekzakt kur tërmeti shkundi Japoninë një dekadë më parë, perandori Naruhito dhe bashkëshortja e tij udhëhoqën momentin e heshtjes për të nderuar viktimat. Pjesëmarrësit mbanin maska, distancë sociale dhe nuk intonuan së bashku himnin kombëtar për të shmangur përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri, Yoshihide Suga, u tha qytetarëve se mësimi i nxjerrë nga fatkeqësia nuk duhet të harrohet.

“Do të punojmë në të gjitha fushat për të përforcuar kombin tonë dhe ta shndërrojmë në një vend, i cili e merr veten shpejt nga fatkeqësitë.”

Valët e mëdha të shkaktuara nga tërmeti i magnitudës 9 rihter në vitin 2011, një nga më të fuqishmit të regjistruar ndonjëherë, goditën brigjet verilindore, duke dëmtuar impiantin bërthamor Dai-Ichi në Fokushima. Kjo detyroi 160 mijë banorët e asaj zone që të largoheshin për shkak të rrezatimit të dëmshëm bërthamor që u shpërnda në ajër.

Qeveria japoneze ka shpenzuar 300 miliardë dollarë për të rindërtuar rajonin e shkatërruar, por zona përreth impiantit në Fukushima mbetet e bllokuar për shkak të nivelit të lartë të rrezatimit nuklear.