A2 siguron pamjet e momentit kur efektivi Nevaldo Hajdaraj qëllon Klodian Rashën

A2 ka siguruar pamje nga kamerat e sigurisë që kanë fiksuar momentin kur efektivi, Nevaldo Hajdaraj, qëllon Klodian Rashën, më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Në fotot e siguruara nga A2 duket momenti kur efektivi Nevaldo Hadaraj (i shënuar me numrin 1) është vënë në ndjekje të Rashës (i shënuar me numrin 2) dhe momenti kur e qëllon, teksa është i shtrirë në tokë.

Kanë qenë pikërisht këto pamje që kanë bërë prokurorinë të ndryshojë akuzën për efektivin e policisë dhe ta akuzojnë për vrasje me dashje.

Sipas dosjes, “pasi është ndjekur nga dy punonjësit e patrullës, ka qenë Nevaldo Hajdaraj, që pak metra larg vendngjarjes, ka tentuar ta ndalojë, duke e kapur nga rrobat dhe trupi. Klodian Rasha ka mundur t’i shpëtojë, ndërsa efektivi Hajdaraj është rrëzuar në trotuar. Në këtë moment, Hajdaraj është ngritur dhe pozicionuar në të ndenjurat e tij brinjazi, mbështetur në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë ka qëlluar dy herë brenda një sekonde drejt Rashës”.

Sipas prokurorisë, Nevaldo Hajdaraj, në kushtet e ndriçimit artificial të bollshëm, dritat e ndriçuesve të rrugës, ka konstatuar se viktima nuk kishte armë zjarri në dorë. Në këto kushte, vijon prokuroria, ai duhet të ndërpriste veprimet në drejtim të tij, të përdorimit të armës, pasi nuk ndodhej në asnjë rrezik sulmi nga viktima.

Në dosje zbardhet edhe dëshmia e drejtuesit të mjetit që ishte ndaluar nga patrulla e policisë që u vu në ndjekje të Rashës. Dëshmitari Marash Aliaj ka treguar se kishte parë policët të ndiqnin një person dhe pak çaste më vonë kishte dëgjuar krisma dhe një zë personi që thoshte se e vranë. Pasi ishte afruar, kishte parë se personi i shtrirë ishte i njëjti që po ndiqej nga policët.

Nga ana tjetër, prokuroria ka përjashtuar mundësinë që arma pistoletë e gjetur gati 100 m larg vendngjarjes të kishte lidhje me Rashën. Kjo për faktin e mungesës së gjurmëve të gishtave në të, por edhe faktit se në duart e Rashës nuk janë gjetur mbetje baruti, siç u mbesin personave që përdorin armë zjarri.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 71 pacientë në spitale, 7 në terapi intensive, asnjë në intubim
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 1 viktimë në 24 orët e fundit, 39 raste