Ademi për A2: Luajmë me simbolet tona në Spanjë, Kosova synon vendin e dytë në grup, Shqipëria e avantazhuar

Kosova do të luajë në Spanjë me simbolet e saj, pavarësisht incidentit të shkaktuar nga iberikët, që ende nuk e njohin shtetin më të ri europian. Presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi, zbuloi objektivat e “Dardanëve” në kualifikueset e Botërorit 2022, si edhe sheh të avantazhuar kuqezinjtë e Edy Rejas për ecuri më të mirë, në një garë hipotetike treshe me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Kjo çështje është sqaruar. Rregullat i ka vendosur UEFA dhe kërkojmë të zbatohen. Edhe unë u habita pse doli ajo fjalë, por më shumë ka qenë nga mediat, pasi organet spanjolle na kërkuan falje dhe na thanë se çdo gjë do të jetë në rregull. Po ashtu, ne kemi folur në kohë reale dhe me UEFA-n dhe FIFA-n, që na kanë garantuar se himni dhe flamuri do të jenë, në të kundërt, ne nuk do të merrnim pjesë.”

Objektivat e Kosovës në kualifikuese

“Secili në grup ëndërron vendin e parë ose kualifikimin. Ne jemi me këmbë në tokë dhe do të bëjmë më të mirën, të shohim si do të rrjedhin gjërat. Uroj që çunat të jenë pa lëndime dhe pa këtë sëmundje. Shpresoj shumë që do të jemi të paktën në vendin e dytë në këtë grup.”