Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Bino: Po kryejmë studim dhe monitorim për të gjithë të vaksinuarit në vendin tonë

Nga A2 CNN
11 Mars 2021, 20:23 | Aktualitet
Bino: Po kryejmë studim dhe monitorim për të gjithë të

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka deklaruar në studion e Ditari në A2 CNN se vendi ynë ka nisur studimin mbi efektivitetin e vaksinës te punonjësit shëndetësorë, në bashkëpunim me OBSH, spitalin e fëmijëve në Boston dhe shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit. Sipas saj po monitorohen të gjithë personat e vaksinuar çdo javë për të parë nëse kanë shenja të sëmundjes dhe sa parandalohet ajo.

“Kemi filluar efektivitetin e vaksinës në vendin tonë përmes një studimi që po kryhet te punonjësit shëndetësorë. Do të vijojë përgjatë vitit, po kryhet në bashkëpunim me OBSH  spitalin e fëmijëve në Boston dhe shkollën e Shëndetit Publik në Harvard, Boston. Ne monitorojmë të gjithë personat e vaksinuar çdo javë për të parë nëse kanë shenja të sëmundjes apo jo? Sa shumë parandalohet sëmundja dhe sa parandalohet transmetueshmëria? Nëse do jenë bartës dhe do të transmetojnë  dhe sa do të zgjasë imuniteti gjatë vitit dhe do kryhen teste serologjike çdo tre muaj”.

Bino thekoi se të gjitha këto të dhëna do jenë gati në fund të vitit.

“Në fund të vitit do të kemi edhe ne të dhënat tona. Është një nga studimet europiane që do të kryhet në këtë fushë”.

Sa i takon dritës jeshile të dhënë nga qeveria për vaksinat ruse e kineze, Bino u shpreh se ky vendim u mor bazuar në disa të dhëna që tregojnë efektshmërinë dhe sigurinë e tyre.

“Komiteti i ekspertëve për vaksinimin mori një vendim që aprovoi përdorimin e Sinofarm dhe Sputnik V dhe natyrisht Komiteti i mori këto vendime bazuar në disa fakte, sepse kemi publikime të fazës së tretë dhe këto janë të rëndësishme në lidhje me këtë gjë, kurse për vaksinën kineze janë të dhëna që nuk janë publikuar në revista shkencore, por në Emiratet e Bashkuara dhe Turqi të dhënat tregojnë për efektshmërinë e këtyre vaksinave. Duhet të blejmë vaksina të sigurta dhe me efektshmëri të lartë.  E para është siguria e vaksinës dhe të dhënat që vijnë nga këto vende tregojnë që janë të sigurta. Për vaksinën ruse po vlerësohet nga një komitet ekspertësh pranë EMA-s, se është kërkuar nga vendet e BE që të vlerësohet, kurse vaksina kineze është aprovuar nga autoritetet rregullatore të disa vendeve. Ka shumë vende që kanë aprovuar vaksinën kineze, rusen e kanë aprovuar 44 vende. Ne nuk e ulim gardën, se komiteti ka vendosur kusht që duhet të kemi vlerësim të sigurisë së tyre dhe efektivitetit të tyre. Janë vendosur dhe disa parametra shtesë në lidhje me përdorimin e tyre”.

E pyetur në lidhje me debatin për Astrazeneca-n dhe ndalimin e përdorimit të saj në disa vende të BE-së, Bino u shpreh se janë vetëm 30 aksidente tromboembolike në 50 milionë doza të aplikuara në vendet e BE. Ajo theksoi se EMA nuk ka gjetur lidhje të këtyre aksidenteve me vaksinën.

“Janë vënë re 30 aksidente tromboembolike që janë në disa qytetarë në vende të tjera që janë aplikuar 5 mln doza në BE deri më tani dhe nga këto 5 mln doza në 30 persona janë vënë re këto aksidente.  Komiteti i ekspertëve është mbledhur dy ditë radhazi në BE dhe një tjetër komitet në OBSH dhe komiteti i BE deri më tani nuk ka gjetur asnjë lidhje të rëndësishme që shpjegon lidhjen e aksidentit me këtë prodhim të vaksinave. BE nuk ka gjetur asnjë lidhje mes aksidentit dhe vaksinës këto nuk janë vënë re as në Mbretërinë e Bashkuar as në vende të tjera. Ata mendojnë që kjo është rastësi se aksidente tromboembolike ndodhin. Megjithatë këto janë vendime të marra nga ky komitet që nuk gjejnë lidhje të rëndësishme. Investigime po kryhen, po nuk ka lidhje”.

Imunizimi me Astrazeneca bëhet me dy doza dhe jepet 8-12 javë pas dozës së parë. Ndërkohë Bino deklaroi se komiteti ynë i ekspertëve po shqyrton mundësinë që ata që e kanë kaluar Covid të marrin vetëm një dozë të vaksinës, që nxit antitrupat dhe imunitetin qelizor.

A2 CNN Livestream

Dita jonë