Boshatisen rrugët në Shkup, qytetarët me mendime të ndryshme për shtetrrethimin

Rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së veriut u boshatisën mbrëmjen e së mërkurës, kur hyri në fuqi shtetrrethimi gjatë natës për të frenuar përhapjen e covid19-tës.

Vetëm pak kalimtarë u panë në rrugët e Shkupit dhe po ashtu qarkullimi i automjeteve ishte i kufizuar.

Reagimet e qytetarëve ishin të ndryshme, me disa prej tyre që e cilësuan masën si të dobishme, për të shmangur grumbullimet e të tjerë që e shohin si të pakuptimtë.

 “Po mendoj se shtetrrethimi duhet pasi shumë njerëz grumbullohen në mbrëmje. Do të jetë pak e dëmshme për ekonominë por duhet të përshtatemi”, thotë një qytetar, ndërkohë që një tjetër e mendon totalisht ndryshe. “Është një masë idiote dhe nuk mendoj se do të shërbejë për ndonjë gjë”.

Shtetrrethimi zgjat nga ora 10 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit dhe do të jetë në fuqi deri në 22 mars. Maqedonia e Veriut ka raportuar rritje të rasteve me koronavirus gjatë javëve të fundit.

Deri në 10 mars vendi numëronte 109 mijë e 262 infektime dhe 3244 vdekje të lidhura me covid-19. Të dielën vendi mori dërgesën e parë me 3 mijë vaksina të ruses Sputnik, nga 200 mijë të tilla që ka porositur.

Shkupi ka blerë gjithashtu 200 mijë doza të vaksinës kineze Sinofarm. Imunizimi i mjekëve nisi muajin e kaluar pasi Maqedonia e Veriut mori mbi 4600 doza të vaksinës së Pfizer, si donacion nga Serbia.