Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
11 Mars 2021, 08:35 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kthyer për plotësim listat e kandidatëve për deputet të 10 subjekteve zgjedhore, mes të cilave edhe Partia Socialiste, Koalicioni i Partisë Demokratike edhe Partia Socialdemokrate me kryetar Tom Doshin. Sipas vendimit të KQZ-së, këto parti kanë depozituar më shumë kandidat se sa parashikon ligji, kanë mangësi në plotësimin e formularëve të dekriminalizimit apo edhe probleme sa i takon respektimit të kuotës gjinore. KQZ i la afat deri në datën 16 mars subjekteve zgjedhore për të plotësuar dokumentacionin.

Rikthehet dëbora në Qafë Thanë

Rikthehen reshjet e dëborës. Këtë mbrëmje në Qafën e Thanës janë rikthyer reshjet e dëborës, ndërkohë që nuk paraqiten probleme në qarkullimin normal të automjeteve. Borëpastrueset janë në terren për të bërë të mundur pastrimin e aksit kryesor Qafë Thanë-Pogradec. Ndërkohë që policia e qarkullimit rrugor iu bën apel drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar dhe lëvizje me shpejtësi të reduktuar.

Të premten vijnë 38 400 doza vaksine nga AstraZeneca

Kryeministri Edi Rama njoftoi se ditën e premte do të mbërrijnë 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca dhe menjëherë do të nisë vaksinimi i mësuesve. Ndërkaq, përgjatë 24 orëve të fundit është ruajtur tendenca e uljes së përhapjes së Covid-19, ndonëse humbjet njerëzore vijojnë të mbeten të larta.

Zbulohet telefonata e Trump, kërkonte rishikimin e rezultatit të zgjedhjeve

Telefonata e Donald Trump ndaj sekretarit të shtetit të Xhorxhias për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, nuk është e vetmja e këtij lloji që ish-presidenti ka bërë. Teksa ajo telefonatë është tashmë nën hetim nga autoritetet federale në SHBA, e përditshmja Wall Street Journal ka siguruar një tjetër regjistrim, për një tjetër telefonatë po kaq të rëndësishme ndaj një tjetër zyrtari të lartë të një shteti tjetër. Në muajin dhjetor, të vitit të shkuar, ish-presidenti i ka telefonuar Frances Watson, shefit të hetimit të sekretarit të Xhorxhias. Kjo u pasua në janar me bisedën me sekretarin e shtetit Brad Raffensperger, e cila menjëherë pushtoi mediat. Gazetarja Erin Burrnett, ndau me publikun mbrëmjen e së mërkurës një pjesë të bashkëbisedimit të Trump me Frances ku Trump thotë: “Kam fituar një numër rekord votash në Florida, në Ohio rekord, në Teksas rekord, në Alabama rekord. Por në Xhorxhia kam fituar gjithçka. Unë e kam fituar Xhorxhian dhe shumë njerëz e dinë këtë. Por, atje diçka ka ndodhur. E kam fjalën për diçka të keqe. Ti do falënderohesh kur përgjigjet të dalin dhe nuk e di pse e bëjnë kaq të vështirë. Njerëzit do jenë të kënaqur. Duhet ta kontrollojmë dhe ta bëjmë të funksionojë. Çfarë që të bësh Frances, do të jetë një gjë e jashtëzakonshme dhe shumë e rëndësishme për vendin. Ti as nuk e ke idenë se sa e rëndësishme është. Dhe unë do ta vlerësoj”, thotë Trump gjatë bisedës telefonike.

Fitorja e parë e Biden në Kongres

Biden shënon fitoren e tij të parë e të vërtetë në Kongres, pasi ky i fundit kaloi paketën prej 1,9 trilionë dollarësh, për të ndihmuar amerikanët në përballjen me Covid-19. Dhoma e përfaqësuesve aprovoi planin masiv të ndihmës ekonomike, me rezultatin 220 vota e 211 kundër, përtej vizës partizane, me asnjë republikan që të votonte në favor. Pasi kaloi provën në senat, tashmë paketa e ndihmës ndodhet mbi tryezën e presidentit Joe Biden dhe ka nevojë vetëm për firmën e tij për të hyrë në fuqi. Kjo është konsideruar si një superfitore legjislative për presidentin që mori detyrën në muajin janar, në paketën e 6-të ekonomike që shkon në ndihmë të qytetarëve amerikanë. Paketa finale përfshin pagesa direkte neto prej 1400 dollarësh, për çdo qytetar amerikan, me pagesa javore prej 300 dollarësh deri në shtator. Nga paketa po ashtu pritet të alokohen 350 miliardë dollarë për shtetet dhe qeveritë lokale, 130 miliardë do të shkojnë për rihapjen e shkollave, 49 miliardë për zgjerimin e kapaciteteve testuese dhe kërkuese për Covid-19 dhe 14 miliardë dollarë do të shkojnë për shpërndarjen e vaksinave. Po ashtu, përmes kësaj pakete, rritet rroga minimale nga 7.25 dollarë në 15 dollarë në orë.

Tjetër rekord i zi në Brazil

Brazili ka vendosur një rekord të ri për nga numri i rasteve të reja ditore, por edhe numri i viktimave në 24 orë, duke shënuar 2286 fatalitete për herë të parë nga shpërthimi i pandemisë. Brazili qëndron në vend të dytë në rang global, pas Shteteve të Bashkuara, me mbi 268 mijë vdekje. Ekspertët e shëndetësisë atje thonë se norma e transmetimit është rritur për shkak të përhapjes në masë të varianteve të reja të Covid-it, edhe më ngjitëse. Të mërkurën, ish-presidenti Lula Da Silva akuzoi pasardhësin e tij, Jair Bolsonaro, se ka marrë gjatë të gjithë pandemisë vendime idiote, që nuk kanë shkuar në ndihmë të qytetarëve. Ndërsa mjekët thonë se vendi po përjeton momentin më të rëndë nga shpërthimi i pandemisë e madje paralajmërojnë se 2021 do të jetë një vit edhe më i vështirë, ku vendi do të goditet fort nga Covid-19.

A2 CNN Livestream

Dita jonë