Europa League, finalja e parakohshme, Milan sfidon United me “gjysmë” ekipi

europa league ok 1100x620

Edhe Europa League është futur në fazën e saj më interesante. 8 përballje që do të projektojnë skuadrat çerekfinaliste, mes të cilave ka shumë prej skuadrave që do meritonin një vend edhe në Champions.

Padyshim, Manchester United-Milan është supersfida dhe njëkohësisht finalja e parakohshme e këtij edicioni. Luhet në “Old Trafford”, me “Djajtë e kuq” që duken favoritë, të paktën për 90 minutat e para.

Kjo për shkak të moralit të lartë, me United që vjen pasi ka thyer Manchester Cityn në kampionat, por edhe për faktin se Milan ka një mori mungesash. Duke nisur nga Ibrahimoviç, Mandzukic, Benaser e deri te Rebic, Cahanoglu, e së fundi Teo Hernandez, kuqezinjtë kanë praktikisht jashtë, gjysmën e formacionit titullar.

Në kampin e anglezëve, edhe pse janë rekuperuar dhe kanë kaluar dhe testet e fundit mjekësore, Markus Rashford dhe Edinson Cavani pritet ta nisin nga stoli, me sulmin që do t’i besohet treshes Xhejms, Martial dhe Grinud. Nuk janë të pakta ndryshimet edhe te United që ka në dyshim gjithashtu Pol Pogba dhe Doni Van De Bek.

Sot, luhen gjithashtu edhe sfida të tjera të rëndësishme si, Roma Shakhtar, Olimpiakos Arsenal apo Tottenham Dinamo Zagreb.