Itali, përshpejton përhapja e virusit, nesër qeveria shpall masat e reja

Itali covid 1100x620

Bilanci i ri i koronavirusit në Itali vijon me rritjen e shifrave ditore. Autoritetet italiane flasin për më shumë se 25600 raste të reja, në rritje nga dita e djeshme ku ishin 22.400.

Regjistrohet rritje edhe për sa i përket viktimave, sot 373 nga 332, ashtu si dhe për tregues të tjerë të rëndësishëm si niveli i pozitivitetit, i rritur në 6.9% në nivel kombëtar.

Spitalet italiane, ku numërohen 2859 persona vetëm në terapi intensive, regjistrojnë një mbushje të shpejtë të vendeve të lira, arsyeje pse krerët e shëndetësisë kanë filluar prej javësh t’i apelohen qeverisë për mbyllje, të kufizuara në kohë, por praktikisht totale të aktiviteteve.

Nesër qeveria Draghi do të shpallë masat e reja, që parashikohen më shtrënguese në fundjavë, ku aktivitete si bare, restorante dhe të përafërta mund të mbyllen në të gjithë vendin, pavarësisht nivelit të infektimit.

Lombardia mbetet rajoni më i goditur me 5849 persona të infektuar, ndërkohë që shqetëson Kampania në rritje të vazhdueshme me 2981 raste e ndjekur nga Emilia Romanja, Piemonte dhe Lacio, rajoni i kryeqytetit që mund të shtrëngojë edhe ai masat nga rritja alarmante e rasteve gjatë javës.