Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Mësuesi në pension iu kthen ish-nxënësve, ditarët e fëmijërisë

Nga A2 CNN
11 Mars 2021, 10:52 | Lifestyle

Një mësues kanadez që ka dalë në pension prej shumë vitesh, iu ktheu ish-nxënësve të tij, ditarët që ata shkruan dekada më parë në klasë.

Në fund të viteve 1970 dhe 1980, Hugh Brittain do t’iu kërkonte nxënësve të klasës së gjashtë në shkollën Havelock në New Brunswick, të mbanin një ditar për një javë, si një ushtrim shkrimor krijues.

"Unë u dhashë atyre lirinë për të shkruar çfarë të donin, çfarë i shqetësonte, ose çfarë ishte e rëndësishme në jetën e tyre në atë kohë", tha Brittain për CNN.

Kur doli në pension në vitin 1995, mësuesi i mori ato me vete, në një kuti me kujtime nga karriera e tij 34-vjeçare e mësimdhënies.

78-vjeçari ishte në gjendje t'ua kthente disa prej ditarëve autorëve të tyre disa vjet më parë gjatë një ribashkimi shkollor, por atij i kishin mbetur akoma mbi 20 të tillë.

"Unë i kam mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk dija çfarë të bëja me to, nuk më pëlqente t'i hidhja dhe kështu që mendova ta provoja edhe një herë", tha ai. "I mbajta ca, për 43 vjet."

Kështu, muajin e kaluar, ai postoi një fotografi të ditarëve, ende në zarfat e tyre origjinalë të mbyllur, në një faqe në Facebook së bashku me emrat e studentëve që po përpiqej të gjente nga klasat e tij në 1977-78, 1981-82, 1982 -1983 dhe 1987-88. Ai u habit se sa shpejt arriti të gjente shumë prej ish-nxënësve, tani burra dhe gra në karrierë.

Njëri prej tyre është 45-vjeçari, Austin Hutton, i cili në ditarin e tij “top sekret” shkruante për kursimin e parave për të blerë një biçikletë të re, dëshirën për të ngarë një traktor dhe për të blerë shumë ëmbëlsira. Por pjesa më e madhe e ditarit përqendrohej në përpjekjet e tij për "vajzën më të bukur në klasë", të cilës Hutton ishte në gjendje t'i merrte numrin e saj të telefonit, por nuk guxoi ta ftonte në takim.

A2 CNN Livestream

Dita jonë