Rama në Vlorë: Lista e PD-së, e paligjshme. Do e ridimensionojë KQZ

Pas shkarkimit të Dritan Lelit nga strukturat partiake, Edi Rama mblodhi shtabin elektoral në Vlorë për të treguar forcën e partisë në zonën e tij elektorale. Kryeministri akuzoi kundërshtarët në zgjedhje, sidomos listën e PD-së, duke ecilësuar si të paligjshme.

Partia nuk ia pranoi Dritan Lelit refuzimin. Kryeministri Edi Rama mblodhi shtabin elektoral në Vlorë, një ditë pas shkarkimit të kryebashkiakut të Vlorës nga strukturat e partisë. Leli nuk pranoi të dorëhiqej si qytetar i parë i Vlorës, për t’iu bashkuar ekipit të kandidatëve për deputetë, kur mësoi se do të ishte i renditur në një pozicion jo favorizues në fletën e votimit, çka çoi në divorcin përfundimtar me personin që e solli në PS.

Situata, sipas Ramës, nuk cenon përmbushjen e objektivit maksimal prej 9 mandatesh, ndërsa akuzoi kundërshtarët për listë të paligjshme: “Pala tjetër ka sjellë një listë të paligjshme me 17 veta, e cila sigurisht do të ridimensionohet nga KQZ, por është shprehja më kuptimplotë e një çorganizimi, e një çorodie dhe një talljeje brenda për brenda për të akomoduar njerëz e për t’i futur në halle dhe sherre me njëri-tjetrin”. 

Kryesocialisti u kujdes të evidentonte se kandidatët e tij përfaqësojnë të gjitha shtresat e shoqërisë në Vlorë, çka nuk ndodh me atë të kundërshtarëve: “Ndërkohë, çuditërisht megjithëse janë 17 vetë, nuk është gjetur vend për një përfaqësues minoriteti. Ndërkohë, qoftë sekseri i Çamërisë, qoftë sekseri i Greqisë, kanë vajtur të dy bashkë në listën e Tiranës”.

Edhe për nostalgjikët e emrit të Ilir Metës në fletën e votimit, kryetari i PS-së kishte menduar një zgjidhje: “Ne kemi Ilir Metën e vërtetë këtu. Ja ku është! Se edhe Ilir Meta i Tiranës, Metaj e ka, por thotë Meta. Ky është Ilir Metaj”.