“Trombozë dhe mpiksje gjaku”, disa shtete europiane pezullojnë vaksinën e AstraZeneca

Danimarka pezulloi për dy javë përdorimin e vaksinës anti-covid, të zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca. Kjo vjen teksa autoritetet po hetojnë raportimet e disa pacientëve që po hasin mpiksje të gjakut pas injektimit të dozës.

Kështu Danimarka ndjek shembullin e disa vendeve të tjera europiane që pezulluan përdorimin e një ngarkese specifike të vaksinës të AstraZeneca-s. Ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, tha se autoritetet po shqyrtojnë shenjat e efekteve anësore serioze në formën e mpiksjes fatale të gjakut.

Ndërsa Agjencia e Barnave e këtij shteti konfirmoi hetimin në një deklaratë dhe shtoi se është raportuar një jetë e humbur pas vaksinimit.

“Nuk e dimë ende nëse mpiksjet e gjakut dhe vdekja në Danimarkë janë për shkak të vaksinës, por duhet të bëjmë një ekzaminim të gjerë për siguri”, u shpreh Tanja Erichsen nga Agjencia e Barnave në Danimarkë.

Më herët gjatë kësaj jave, edhe Austria pezulloi përdorimin e një dërgese specifike të vaksinës së AstraZenecas, të emërtuar ABV5300, pasi një person u diagnostikua me trombozë të shumëfishtë. Të njëjtin vendim mori edhe Estonia, Lituania, Luksemburgu dhe Letonia.

Agjencia Europiane e Barneve bën me dije se deri më tani janë shpërndarë 1 milion doza të dërgesës të dyshuar si problematike për në 17 shtete të Bashkimit Europian.