Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

WhatsApp Image 2021 03 11 at 21.05.13 1100x620

Një shpërthim tritoli është dëgjuar pasditen e djeshme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur te “Komuna e Parisit”. Shënjestër e shpërthimit ka qenë një makinë e parkuar pranë një qendre tregtare, në pronësi të prokurorit Arjan Muça, i cili ka ndjekur dosje të rëndësishme. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, automjeti kishte dy vite që parkohej në brendësi të qendrës tregtare. Bashkëshortja e Arjan Muçës është Gentiana Muça, një gjyqtare e njohur. Ende nuk dihet se kush ka qenë objektivi. Prokurori Arjan Muça prej dy vitesh është 1 nga 6 prokurorët e komanduar si këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Muça merret me raportet e vlerësimit të prokurorëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Merret vendimi, qeveria mund të negociojë me çdo shtet për vaksinat

Qeveria i hap rrugë negociatave me shtetet që prodhojnë vaksinat anti-covid. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka vendosur me akt normativ autorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Rindërtimit, zhvillimin e negociatave me shtetet që prodhojnë vaksina, pa përjashtuar askënd. Vendimi parashikon se vaksinat duhet të jenë të certifikuara nga autoritetet përkatëse në vendin e prodhimit të tyre duke lënë derën hapur që Shqipëria të negociojë direkt edhe me ato shtete, të cilat më parë i kishte përjashtuar, si Rusia dhe Kina.

Vijon dhuna në Mjanmar, 12 të vdekur në një ditë

Rrugët e Mjanmarit vijojnë të përgjaken çdo ditë e më shumë. Edhe kjo e enjte ishte e përgjakshme, me së paku 12 persona të vrarë nga junta ushtarake, që drejton vendin pas rrëzimit të qeverisë në fillim të shkurtit. Zyrtarët e OKB-së e cilësojnë situatën si një përgjakje të protestave paqësore, që gjithnjë e më shumë po marrin trajtën e krimeve kundër njerëzimit. Në qytetin e vogël të Myaing, policia qëlloi me armë në një turmë njerëzish të paarmatosur, duke vrarë së paku 8 prej tyre. Imazhet janë postuar në rrjetet sociale, ku shfaqen njerëzit duke vrapuar në rrugë, të larë në gjak e të plagosur. Edhe në Yangon, qyteti që po mban peshën më të madhe të protestave, një protestues u qëllua drejtpërdrejt nga ushtria, duke mbetur i vrarë në vend. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deri më tani, nga fillimi i protestave, mbi 80 vetë kanë humbur jetën, qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe mbi 2 mijë janë arrestuar.

“Amerika fiton pavarësinë ndaj koronavirusit më 4 korrik”

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është shpresëplotë se Amerika do të shënojë pavarësinë nga Covid-19 më 4 korrik, vetëm nëse njerëzit vaksinohen. Në adresimin e tij të parë në “prime time” si president, Biden tha se do të urdhërojë shtetet, që ta bëjnë vaksinimin të detyrueshëm me ligj për çdo të rritur amerikan, duke nisur nga 1 maji. Ndërsa masat aktuale në fuqi kanë prioritet në procesin e vaksinimit, qytetarët sipas moshës, por edhe sipas kushteve shëndetësore. Fjalimi i tij u mbajt fiks në datën kur OBSH-ja klasifikoi koronavirusin pandemi më 11 mars të 2020-s, me mbi gjysmë milioni amerikanë që kanë humbur jetën përgjatë këtij viti. Për herë të parë, Biden foli se kur njerëzit mund të mblidhen bashkë: “Në qoftë se ne e bëjmë këtë së bashku, deri më 4 korrik, ka një shans që ju, familjet tuaja dhe miqtë të mblidheni bashkë e të festoni ditën e pavarësisë”, tha Biden, duke shtuar se ajo datë do të jetë edhe dita e pavarësisë nga Covid-19. Si pjesë e fushatës së vaksinimit, parashikohet edhe rritja e numrit të qendrave të votimit, mes të cilave edhe dentistët, të cilët do të mund të ndihmojnë në këtë proces.

Akuzat për ngacmim seksual, De Blasio kërkon dorëheqjen e Cuomo-s

Kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Bill De Blasio i ka kërkuar guvernatorit Andrew Cuomo që të dorëhiqet pas akuzave për ngacmim seksual. Cuomo, i cili aktualisht është nën hetim pas akuzave të 5 grave për ngacmim seksual, tashmë përballet me një tjetër akuzë, nga një tjetër grua. Rrëfimet e atyre që e akuzojnë Cuomon, kryebashkiaku De Blasio i cilësoi absolutisht të papranueshme, por guvernatori i ka mohuar të gjithë akuzat kundër tij duke thënë se kurrë nuk do të bënte diçka të tillë. Një ditë më parë, De Blasio, rival politik i guvernatorit demokrat Cuomo tha përpara mediave: “Akuzat specifike, se guvernatori i ka thirrur punonjëset e tij, ato që ka pasur afër, në një vend privat dhe më pas i ka sulmuar seksualisht, janë të papranueshme. Këto akuza ma shpifin dhe ai nuk mund të shërbejë më si guvernator”, tha kryebashkiaku i Nju-Jorkut. Mandati i Andreu Cuomo përfundon në fund të vitit 2022.