Eksplozivi ndaj prokurorit. Pista kryesore e hetimit, detyra e Muçës dhe bashkëshortes gjyqtare

Shpërthimi i telekomanduar në mjetin e prokurorit Arjan Muça dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij, ose të bashkëshortes gjyqtare në Gjykatën Administrative. Kjo është pista kryesore ku është përqendruar hetimi i Prokurorisë së Tiranës mbi ngjarjen e mbrëmjes së të enjtes në kryeqytet.

Me gjithë faktin se në deklarimet e dhëna prokurori dhe gjyqtarja Muça kanë mohuar ekzistencën e ndonjë konflikti, në ditët në vijim pritet të verifikohen çështje që kanë lidhje me detyrat e tyre funksionale. Sipas burimeve, mundësitë që motivi të ketë lidhje me detyrën e gjyqtares Gentiana Muça janë më të mëdha sesa me detyrën e prokurorit Muça, që prej mëse dy vitesh ishte komanduar në KLP, si pjesë e grupit të punës që përpilon raportet e aftësive profesionale të prokurorëve që kalojnë në vetting.

Referuar sasisë së eksplozivit, dëmit të shkaktuar, si edhe momentit të zgjedhur për shpërthimin e tij, hetuesit dyshojnë se qëllimi i vendosjes së lëndës plasëse ka qenë një mesazh për të kërcënuar një prej bashkëshortëve dhe jo lëndimi fizik i tyre.

Nga verifikimet paraprake, dyshohet se autori mund të ketë mbajtur në vëzhgim për disa ditë automjetin e familjes Muça, pasi e dinte me saktësi vendparkimin e tyre. Nga ana tjetër, hetuesit kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja të kishte për qëllim shkatërrimin e pronës, për shkak të vlerës së vogël që kishte mjeti “Mercedes A Class”.

Pas ngjarjes, prokurori dhe familja e tij u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit në kushte të emergjencës.

Paraditen e së premtes, Muça depozitoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kërkesë për mbrojtje të posaçme, duke pohuar se ndjehej i kërcënuar për veten dhe familjen e tij, kërkesë që u miratua.  

Përmes një reagimi, KLP kërkoi hetim këmbëngulës dhe të shpejtë të rastit, ndësa konsideroi çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë.