“Elbasani, nga qyteti i luleve, në qytetin e bandave”, Hajdari: Yuri Kim na vizitoi në “shtëpi”

Rudina Hajdari, kandidate në Elbasan në listën e Nismës Thurje, ishte e ftuar mëngjesin e së premtes në “Dita jonë”, ku ndër të tjera foli edhe për vizitën e ambasadores Yuri Kim në Elbasan, e cila u takua me Ballën, Kryemadhin, Bardhin, ndërsa më pas, edhe me Rudina Hajdarin.

Kandidatja e Nismës Thurje në qarkun e Elbasanit theksoi se takimi me ambasadoren ka qenë në zyrat e partisë ku ajo bën pjesë. Për këtë, Hajdari shprehet se tregon mbështetjen që ambasadorja ka për ndryshimin.

“Takimi ishte ndryshe nga të tjerët. Ajo erdhi pranë zyrave të nismës Thurje dhe ne patëm një bashkëbisedim me të, ishte shumë e inkurajuar dhe u shpreh shumë optimiste për organizimin që ne kishim bërë. U befasua.

U takua me të tjerët në takime të shkurtra, për një kafe, me zonjën Kryemadhi, zotin Bardhi dhe Taulant Ballën, ndërsa më pas na erdhi në “shtëpi”, në zyrat e Nismës Thurje. Kjo tregon që ishte në mbështetje të një modeli të pastër të kandidatëve që po përpiqen të bëjnë ndryshimin e duhur. Pas vizitës, ne drekuam bashkë. Kjo, jo vetëm tregon qartë mbështetjen e ambasadës, por edhe një udhëzim të qartë nga Uashingtoni për nevojën e një ndryshimi rrënjësor në politikë. Partitë e vjetra u shqetësuan shumë nga ky takim”, tha Hajdari.

Më tej, Hajdari foli edhe për situatën në qytetin e Elbasanit, si dhe ditët e saj të para që prej momentin që u vendos në listat e këtij qarku.

“Jam shpërngulur në Elbasan, ku kam marrë një banesë të vogël atje. Fushata po shkon shumë mirë. Të gjithë ishin entuziastë për të bërë diçka të re. Elbasani është damkosur si një qytetet me probleme me kriminalitetin. PS-ja ka shumë njerëz në administratë dhe ushtron presion nëpërmjet njerëzve në atë qark dhe e bën shumë të vështirë që fëmijët të bëhen pjesë e Nismës Thurje. Është për të ardhur keq që në vitin 2021 ushtrohet presion ndaj të rinjve për të mos u bërë pjesë e një tryeze ku ne bashkëbisedojmë për gjëra të ndryshme.

Në këtë qytet zhgënjimi është shumë i madh, por edhe në të gjithë qarkun. Të gjithë janë shumë të zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes në 8 vitet e fundit, por jo vetëm. Elbasani është kthyer nga qyteti i luleve në qytetin e bandave”, u shpreh Hajdari.