Hetimet dhe dyshimet mbi arsyet e sulmit ndaj Arjan Muçës, publikohen pamjet e automjetit

Makina e prokurorit Arjan Muça shpërtheu pasditen e së enjtes në Tiranë. Një sasi tritoli iu vendos në pjesën e poshtme të saj, ndërsa mjeti ishte i parkuar në brendësi të një qendre tregtare te “Komuna e Parisit”. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar.

Ndërkohë, policia ende nuk e ka të qartë nëse tritoli ka qenë për prokurorin Arjan Muça apo për bashkëshorten e tij, Gentiana Muça, e cila është gjyqtare në Apelin Administrativ të Tiranës. Vendosja e tritolit ka qenë në sasi të vogël, në pjesën e përparme të automjetit, ndaj dhe për hetuesit konsiderohet si një mesazh kërcënues. Sipas hetuesve, makina është ndjekur nga autorët, duke zgjedhur që të mos ketë persona brenda saj në momentin e shpërthimit. E sigurt është se vendosja e tritolit vjen për shkak të detyrës. Janë sekuestruar kamerat e disa bizneseve të ndryshme pranë vendngjarjes.

Pas ngjarjes, e cila ndodhi rreth orës 19:30 të së enjtes, policia sekuestroi disa kamera, dhe gjithashtu pati një foto të shpërndarë të një personi të dyshuar. Pati shkëmbim informacioni dhe i gjithë kontrolli është bërë në zonën e sipërme të Tiranës, por ende nuk ka asnjë person të shoqëruar mbi këtë ngjarje.