Përplasjet në zyrat e FRD-së, Shehu: Nuk ka burrë nëne mbi tokë që t’i marrë

Untitled collage 2021 03 12T142547.382 1100x620

Nënkryetari i partisë Fryma e Re Demokratike, Sali Shehu ka reaguar pas tensioneve që ndodhën ditën e sotme pranë zyrave të kësaj force politike.

Shehu deklaroi se askush nuk mund t’ua marrë zyrat, ndërsa theksoi se ka njoftuar prokurorin për të nisur hetimet për dhunën e ushtruar ndaj kryetarit të FRD Tiranë dhe stafit shoqërues të Presidentit Meta.

“Në Dibër kemi një fjalë të urtë “dardha e ka bishtin mbrapa”. Kjo funksionon për ata që e kuptojnë. Këto zyra janë të FRD dhe nuk ka burrë nëne mbi tokë që t’i marrë, t’i tjetërsojë në mënyrë të paligjshme. As vagabondët e pushtetit, as njeri mbi tokë. Jemi këtu për t’iu thënë shqiptarëve se jemi bashkë për një gjë më të mirë. As në kohën e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur që të nxjerrësh partinë nga zyra deri ditën e zgjedhjeve.

Në orët e para të mëngjesit kur u futa në zyrë, kam pritur të vijë stafi. Mora telefonatë nga poshtë, nga kryetari i FRD-së Tiranë që më tha se më kanë ndaluar hyrjen në seli. Në momentet e para njoftova të gjitha mediat dhe drejtuesit e shtetit, kryeministrin, kryetarin e bashkisë, presidentin, zotin Celibashi, do të njoftoj edhe selitë diplomatike në Tiranë. Një gjë është e sigurt, kjo do të jetë epiqendra e situatës në Tiranë. Kam njoftuar zyrtarisht prokurorin e Tiranës, që do të sjellë grupin e gatshëm për kryer veprimet hetimore për dhunën e ushtruar ndaj kryetarit të FRD dhe stafit shoqërues të Presidentit”, deklaroi Sali Shehu, nënkryetari i partisë Fryma e Re Demokratike.