Rrugët e Mjanmarit vijojnë të përgjaken, policia qëllon me armë mbi qytetarët, 12 të vrarë

Rrugët e Mjanmarit vijojnë të përgjaken çdo ditë e më shumë. Edhe kjo e enjte ishte e përgjakshme, me së paku 12 persona të vrarë nga junta ushtarake, që drejton vendin pas rrëzimit të qeverisë në fillim të shkurtit.

Zyrtarët e OKB-së e cilësojnë situatën si një përgjakje të protestave paqësore, që gjithnjë e më shumë po marrin trajtën e krimeve kundër njerëzimit. Në qytetin e vogël të Myaing, policia qëlloi me armë në një turmë njerëzish të paarmatosur, duke vrarë së paku 8 prej tyre. Imazhet janë postuar në rrjetet sociale, ku shfaqen njerëzit duke vrapuar në rrugë, të larë në gjak e të plagosur.

Edhe në Yangon, qyteti që po mban peshën më të madhe të protestave, një protestues u qëllua drejtpërdrejt nga ushtria, duke mbetur i vrarë në vend. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deri më tani, nga fillimi i protestave, mbi 80 vetë kanë humbur jetën, qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe mbi 2 mijë janë arrestuar.