Sezoni veror në Durrës, biznesi: Të vaksinohen punonjësit e hoteleve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, i është drejtuar me një shkresë Komitetit Teknik të Ekspertëve, për situatën e pandemisë, duke kërkuar që të shihet mundësia e vaksinimit të shpejtë të personelit të hoteleve dhe njësive të shërbimit turistik në vend, si një masë që do të jepte më shumë garanci për një sezon veror ndryshe nga ai i vitit të kaluar dhe natyrisht më të sigurt sa i takon shëndetit.

Në listë përveç hoteleve janë përfshirë dhe biznese të tjera që kanë risk të lartë infektimi për shkak të natyrës së punës që kryejnë.

Sakaq, në vijën bregdetare duket se kanë nisur përgatitjet e para për sezonin veror. Menaxherët e njësive të shërbimit në bregdetin e Durrësit shprehen optimistë që ky sezon veror do të jetë më i mbarë se ai i kaluari, duke shpresuar që të mos ketë kufizime në orare apo shërbime.