Siguria, efikasiteti dhe efektet anësore: Çfarë duhet të dimë për vaksinën e Astrazeneca?

Është pagëzuar si vaksina për mbarë botën dhe ka marrë vlerësime të mira për sigurinë, efikasitetin dhe koston e ulët të prodhimit dhe ruajtjes. Ilaçi që mbron njerëzit nga Covid-19, i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me AstraZeneca, është rekomanduar për përdorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia Europiane e Barnave dhe shumë rregullatorë të shteteve të tjera të botës.

Ajo që dimë zyrtarisht për vaksinën e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca është që ka një efikasitet 76 për qind kundër versionit fillestar të koronavirusit pas dozës së parë. Ndërsa pas të dytës, efektshmëria rritet në 82 për qind. Vaksina zvogëlon ngarkesën virale, duke ngadalësuar transmetimin e virusit.

Ajo përbëhet nga një version i dobësuar i virusit të zakonshëm të ftohjes i marrë nga shimpanzetë. Është modifikuar që t’i përafrohet formës së koronavirusit, por nuk mund të shkaktojë sëmundje.

Pasi injektohet, i mëson sistemit imunitar të trupit se si të luftojë virusin e vërtetë dhe e nxit të prodhojë antitrupa. AstraZeneca ka konfirmuar se dozat mund të ruhen dhe transportohen në temperatura normale të ftohjes, nga 2 deri në 8 gradë celcius për 6 muaj.

Kompania britaniko-suedeze pretendon se nuk do të marrë fitim për shitjen e vaksinës, teksa u njoftua se çmimi për dozë është 2 deri në 3 dollarë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e saj edhe nëse variante të ndryshme janë të pranishme në një vend. Por është raportuar një rënie në efikasitet kur përballet me mutacionin afrikan të koronavirusit.

Sa i përket efekteve anësore, nuk është raportuar ndonjë serioze. Gjatë testeve klinike, më të zakonshmet ishin: lodhje, temperaturë e lartë, dhimbje muskujsh, irritim lëkure, diarre dhe përzierje. Britania e Madhe ishte shteti i parë në botë që e autorizoi për përdorim vaksinën e AstraZeneca, ndërsa u pasua nga drita jeshile e marrë nga Agjencia Europian e Barnave dhe rregullatorë të tjerë të rëndësishëm.

  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 3 humbje jete në 24 orët e fundit nga Covid-19
  • LAJMI I FUNDIT | Ministria e Shëndetësisë: 91 raste të reja nga 1762 testime të kryera
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Po trajtohen 111 pacientë, 17 në terapi intensive, 6 të intubuar