Tavani tek interesat, mikrofinanca kundër: Kemi kosto dhe rrezik të lartë

Institucionet e mikrofinancës shprehen kundër propozimit të Bankës së Shqipërisë për të vendosur tavane mbi interesat e kredive. Qëndrimi i tyre zyrtar përmes zërit të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, është se tregu operon me kosto dhe rrezik të lartë dhe është ende herët për të prezantuar një rregullore të tillë.

 “Ne shohim që është shumë herët për të vendosur në Shqipëri një tavan të tillë. Mungon aksesi në platforma që këto institucione të kenë të dhëna individësh, në financat e shpenzimet e tyre. Sot ende 60% e shqiptarëve nuk kanë llogari bankare”, thotë Arlinda Muja, presidente e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare.

Sipas saj, është e nevojshme të bëhen ndryshime në formulën e propozuar, së pari duke ndarë mikrofinancat nga bankat, dhe për të prezantuar edhe segmentin e kredisë afatshkurtër, që në të kundërt po të ishte i paleverdishëm si produkt.

Arlinda Muja, presidente e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare

Në gjykimin e institucioneve mikrofinanciare, perceptimi për abuzim me mikrokreditë lidhet me trajtimin e kredive me vonesë dhe nuk ka të bëjë me normën e interesit. Për këtë arsye, shoqata nuk e ka kundërshtuar tavanin për kamatëvonesat.

 “Nuk jemi shprehur kundra sepse kjo do të rregullonte të paktën pjesën e tregut dhe sigurisht BSH e ka bërë sepse të gjithë kategoritë do të kenë mundësi për ta ripaguar kredinë”, thotë Muja.

Megjithatë edhe në këtë rast, institucionet jo banka i tremben një ndikimi të mundshëm që mund të ketë tavani mbi gjobat, në mospagimin e kësteve të mbartura.