Totti tregon makthin e tij me COVID-19: Ishin 24 ditë ferri, mendova se do vdisja si im atë

Totti 1100x620

Francesco Totti mbetet një nga ikonat e futbollit italian, kampion i botës në 2006-ën dhe idhull i Romës. Por ky vit ka qenë vërtetë i rëndë për 44-vjeçarin, që është goditur personalisht dhe familjarisht nga pandemia e COVID-19.

I ati Enzo vdiq si pasojë e virusit pandemik në tetor, në moshën 76-vjeçare. Një goditje e rëndë për ish-kapitenin romanist, i cili dy muaj më vonë u godit edhe vetë nga SARS-coV-2. Totti zbulon ndjesitë e atyre ditëve në një intervistë në të përditshmen  “Corriere della Sera”.

“Virusi u tregua shumë agresiv edhe me mua. Kam kaluar një bronshit bilateral, temperatura mbetej te 40 gradët me ditë të tëra, kollitesha vazhdimisht dhe isha tejet i lodhur, nuk kisha uri. Kam kaluar 24 ditë të tillë. Oksigjenimi i gjakut kishte shkuar 89-90, me këto parametra duhet të shtrohesha, por nuk pranova. Kisha frikë, për atë që i kishte ndodhur babait tim 2 muaj përpara. E kalova me antibiotikë, eparinë, kortizonikë. Por ka qenë shumë e vështirë”.

Totti tregon momentet e vetmisë së një pacienti me COVID, me ditët që kalojnë njëra pas tjetrës, në mënyrë pasive. “Nuk shikoja asgjë, nuk reagoja, ishte një makth që zgjati një muaj”.

Një makth që për një moment i bëri të mendonte për më të keqen. “Pas 10 ditë injeksionesh dhe antibiotikësh, nuk kisha asnjë përmirësim. Në atë moment pata vërtet frikë. Kisha frikë edhe për familjen time, sepse bashkëshortja, fëmijët, shërbyesit, të gjithë ishin pozitivë”.