Zyrtarizohet miqësorja, Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke

kombetarja notat 1100x620

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një tjetër miqësore në muajin qershor. Kuqezinjtë do të përballen me Republikën Çeke më datë 8 qershor 2021 në transfertë.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se te federatat respektive kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj ndeshjeje në kryeqytetin çek, Pragë, ndërsa ora e nisjes dhe stadiumi mbeten të përcaktohen në javët në vijim.

Kjo do të jetë ndeshja e dytë e përfaqësueses shqiptare brenda pak ditësh, teksa më 5 qershor kuqezinjtë do të sfidojnë Uellsin në ndeshjen që do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në ora 18:00.

Kjo do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë me Republikën Çeke në histori. Në të kaluarën Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 duele me Çekosllovakinë, nga të cilat 3 miqësore dhe dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.

Më 17 shtator 1950, Çekosllovakia fitonte ndaj Shqipërisë 3-0 në miqësoren e luajtur në Pragë, ndërsa më 29 nëntor 1952 Kombëtarja fitonte 3-2 ndaj çekosllovakëve në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Golat për tanët u shënuan nga Zihni Gjinali, Qamil Teliti dhe Skënder Jareci. Vetëm pak ditë më vonë, më 7 dhjetor 1952, Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje miqësore me Çekosllovakinë, duke triumfuar sërish me rezultatin 2-1 falë golave të Zihni Gjinalit dhe Loro Boriçit.

Dy përballjet e fundit mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë zhvilluar më 1 maj 1991, ku Kombëtarja jonë u mund nga çekosllovakët me rezultatin 0-2 në Tiranë dhe e dyta më 16 tetor 1991 me Çekosllovakinë që fitoi 2-1 ndaj Shqipërisë në Olomouc. Të dyja takimet ishin të vlefshme për eliminatoret e Europianit 1992.

Në vitin 1993, Çekosllovakia do të shpërbëhej për të krijuar dy shtete, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Qysh prej asaj kohe, Shqipëria dhe Çekia nuk janë përballur me njëra-tjetrën.

Kombëtarja e Çekisë drejtohet nga trajneri Jaroslav Šilhavý, ndërsa çekët aktualisht renditen në vendin e 42-të në klasifikimin e FIFA-s.