Lajm i mirë për Rejan, “rizgjohet” mesfushori kuqezi në Itali

ndoj 1100x620

Një tjetër lajm i shkëlqyer vjen nga Italia për trajnerin e Kombëtares Edy Reja. Jo vetëm mbrojtja “italiane” Gjimshiti-Kumbulla-Ismajli duket një nga pikat e forcës së ekipit kuqezi, por tashmë nga vendi fqinj mund të vij edhe një tjetër përforcim për mesfushën.

Bëhet fjalë për Emanuele Ndoj, 24-vjeçarin mesfushor te Brescia. Një lojtar talentuoz, por që kur mendohej se mund të shkonte drejt një ekipi më të madh se ai i Serisë B ku është rritur, pësoi një dëmtim të rëndë.

Por sot pas 21 ndeshjesh mungesë, Ndoj u rikthye në fushë dhe u shndërrua menjëherë në protagonist. I futur si zëvendësues në pjesën e dytë, Ndoj ishte autori i golit të vetëm që vulosi ndeshjen ndaj rivalëve direkt të Frosinones, në minutën e fundit të kohës shtesë.

Një gol i rëndësishëm për ekipin por edhe fundi i makthit për shqiptarin, që tani mund të shohë më qetësisht planet për të ardhmen e tij, ku padyshim Shqipëria është një etapë e rëndësishme.