Mediu: Shqiptarët janë bashkuar në koalicionin më të madh për të përmbysur regjimin e korruptuar të Ramës

Në takimin e shtabit elektoral të Qarkut Tiranë, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se “shqiptarët janë bashkuar në koalicionin më të madh, jo thjesht opozitar, por të shqiptarëve për të përmbysur regjimin e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”.

“Shqiptarët kanë pasur dhe kanë qëllim integrimin europian të Shqipërisë, garantimin e një Shqipërie ku qytetarët të kenë të njëjtat shanse, liri dhe dinjitet, siç i kanë qytetarët europianë, të kenë shanse për t`u punësuar, për të ndërtuar ekonomitë e tyre familjare dhe ekonominë tonë kombëtare, një shtet që respekton liritë dhe të drejtat, dhe ky është qëllimi i Aleancës për Ndryshim, ku bën pjesë Partia Republikane dhe partia kryesore është Partia Demokratike”, tha Mediu.

“Ne kemi detyrimin që të jemi bashkëudhëtarë me shqiptarët, në rrugën e shpresës, të bashkimit, për ta kthyer Shqipërinë tek shqiptarët, për ta kthyer qeverisjen nga duart e krimit, në duart e qytetarëve shqiptarë, nga duart e korrupsionit, në duart e ligjit. Ky është qëllimi që kemi. Kemi përballë një njeri i cili nuk njeh asnjë normë, as njerëzore, as politike, as qytetare dhe as intelektuale, i cili spastroi Partinë Socialiste me listën e vet nga historia e Partisë Socialiste, kontributet e saj dhe kontributorët e saj, për të fuqizuar dhe kontrolluar Partinë Socialiste dhe për ta përdorur atë për interesa private. Edi Rama ka zgjedhur vetëm një rrugë, largimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe largimin e shqiptarëve nga procesi elektoral. Gjuha që ai përdor është një gjuhë e cila tenton për t`i mbajtur shqiptarët larg procesit zgjedhor, për t`a banalizuar politikën, për t`a kthyer atë në sharje dhe fyerje personale”, shtoi Mediu.

Kreu i PR-së theksoi se “opozita ka vetëm një detyrë: të ndërtojë marrëdhënie me qytetarët shqiptarë, prandaj është shumë e rëndësishme që fokusi i politikës sonë të jetë pikërsht ajo çka duan shqiptarët”.

“E para: Garantimin e lirive dhe dinjitetit të tyre; E dyta: Mundësi për punësim; E treta: Rikthimin e ndjenjës sonë kombëtare, për t`i parë shqiptarët të bashkuar në Europën e bashkuar.
25 Prilli është një moment i një rëndësie të jashtëzakonshme kombëtare. 25 Prilli nuk është thjesht një proces votimi, por është ndarja përfundimisht e shqiptarëve nga klanet e krimit dhe korrupsionit dhe rikthimi në rrugën europiane, rikthimi i besimit tek shqiptarët, për të bërë të mundur që ne të garantojmë një të ardhme që i përket shoqërisë shqiptare, fëmijëve tanë, prindërve tanë dhe të ndërtojmë modelin e bashkëpunimit mbarëshqiptar, për të realizuar “shqiptarë të bashkuar në Europën e bashkuar”, u shpreh Mediu.

  • LAJMI I FUNDIT | PD drejt 13 qershorit - Absolut 4
  • LAJMI I FUNDIT | Të ftuar: Çlirim Gjata, Genti Malko, Lutfi Dervishi, Ilir Kalemaj
  • LAJMI I FUNDIT | PD drejt 13 qershorit - Absolut 4