Obligacionet 7-vjeçare, interes i lartë nga investitorët

Investitorët po shohin letrat me vlerë afatgjatë të qeverisë si një alternativë të mirë dhe të sigurtë investimi në këtë periudhë të trazuar të pandemisë së COVID-19.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e fundit të obligacioneve me maturim 7-vjeçar u paraqitën kërkesa me vlerë totale 8,1 miliardë lekë, ndërkohë që shuma e shpallur nga Ministria e Financave ishte 3 miliardë lekë. 

Kuponi i obligacioneve të shitura arriti në nivelin 4,25%, duke shënuar rënie nga niveli prej 4,38% i ankandit të mëparshëm i zhvilluar në shtator të 2020-s. Arsyeja e kësaj rënie të interesit vlerësohet të jetë pikërisht kërkesa e lartë kundrejt ofertës për këto instrumenta financiarë. 

Ndërkaq, interesat e letrave me vlerë me afat më të shkurtër maturimi të qeverisë shqiptare kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesat e bonove të thesarit me afat maturimi tre mujor kanë arritur në 1,29%; bonot me afat 6-mujor në 1,76% dhe ato me afat maturimi 12-mujor, në 2,1%. Në ankandet e fundit, interesat e obligacioneve 2-vjeçare arritën në 2,65%; ato 3-vjecare në 2,8% dhe obligacionet 5-vjeçare, në 3,7%.

Letrat me vlerë të qeverisë shihen si një altrentivë e leverdisshme investimi në këtë moment të krizës për shkak të sigurisë së lartë që ato ofrojnë, pasi janë me risk thuajse zero.