Sekuestrohet narko-nëndetësja, mund të transportonte deri në 2000 kg kokainë

Policia spanjolle ka ndaluar një narko-nëndetëse “artizanale” e cila po ndërtohej në Malaga për t’u përdorur për të transportuar kokainë.

Nëndetësja rreth 10 metra e gjatë u zbulua gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar nga Europoli dhe disa agjenci ligjzbatuese në Britani, SHBA, Kolumbi, Holandë dhe Portugali.

Shefi i Policisë Spanjolle, Rafael Perez, tha se nëndetësja do të mund të kryente udhëtime në det të hapur pas përfundimit dhe pajisjes me 2 motorë, secili me nga 2000 kuaj fuqi. Perez tha se nëndetësja do të përdorej për të marrë lëndën narkotike nga anijet në det, pa qenë nevoja që të afrohen në port.

Mjete të ngjashme lundruese janë zbuluar në të kaluarën në Oqeanin Atlantik, sidomos në zonën e Amerikës Qendrore dhe të Jugut. Ato qëndrojnë pothuajse totalisht nën ujë dhe kësisoj kanë më shumë mundësi t’i shpëtojnë gjurmimit.